Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar situatën e ish-presidentit Ilir Meta, duke theksuar se ai mbahet në burg pa asnjë fakt të bazuar. Ai shprehu shqetësim për trajtimin e Metës në burg dhe u ndal te kryebashkiaku Erion Veliaj, të cilin e akuzoi për lidhje me korrupsionin dhe veprime të papranueshme.
"Rasti i Ilir Metës është një nga rastet më të rënda që mund të imagjinohet. Vetëm për një intervistë, ai është privuar nga e drejta e komunikimit për 10 ditë. Kjo është një sjellje totalisht diktatoriale, sikur të ishin regjime staliniste apo naziste," tha Berisha, duke shtuar se Meta mbahet në burg pa asnjë fakt të përfshirë në dosje.
Ai gjithashtu kritikoi ashpër kryebashkiakun Veliaj, i cili, sipas Berishës, ka bërë një mori veprime të papranueshme. "I kam konsideratat më të keqija për Veliajn. Ai është i përfshirë në vjedhje dhe korrupsion të tmerrshëm. Çdo njeri, qoftë i padënuar ose i dënuar, ka të drejtat e tij që duhet të respektohen sipas ligjit dhe kushtetutës," tha Berisha.
Në lidhje me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, Berisha shpalli se ai së bashku me një biznesmen të grupit ‘Troplini’ i kanë bërë kërcënime Erion Veliajt gjatë vizitës së tij në burg. "Ky është një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm," u shpreh ai.
Berisha theksoi se ka denoncuar kushte të pafavorshme dhe çnjerëzore në burgjet e Shqipërisë, duke kërkuar që Avokati i Popullit të ndërmarrë veprime për të mbrojtur të drejtat e të burgosurve. "Qindra mijëra qytetarë janë të ndaluar pa proces të drejtë gjyqësor dhe mbahen në kushte të papranueshme. Ky është një akt torturues," përfundoi ai.
Komente