Begaj shpreh mirënjohje në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit: “Shqipëria ka nevojë për zemrën dhe kontributin tuaj”

Begaj shpreh mirënjohje në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit: “Shqipëria ka nevojë për zemrën dhe kontributin tuaj”

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur falënderime dhe mirënjohje për të gjithë vullnetarët, në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale me rastin e 5 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Vullnetarizmit. Ai i cilësoi vullnetarët si shtylla morale që mbajnë gjallë solidaritetin dhe angazhimin social, duke theksuar rëndësinë e tyre në forcimin e komunitetit.

Në mesazhin e tij, Presidenti nënvizoi se kjo ditë kujton vlerat e një shoqërie që ndërtohet mbi ndihmën dhe përkushtimin, duke falënderuar çdo nismë që i shërben qytetarëve. Ai i ftoi vullnetarët të vazhdojnë me kurajë, duke theksuar se vendi ka nevojë për përpjekjet dhe energjinë e tyre çdo ditë.

Këtë vit, Dita Ndërkombëtare e Vullnetarëve mbahet nën temën “Çdo kontribut ka rëndësi” dhe shënon nisjen zyrtare të Vitit Ndërkombëtar të Vullnetarëve për Zhvillim të Qëndrueshëm. Statistikat tregojnë se në mbarë botën ka rreth 1 miliard vullnetarë, ku rreth 70% prej tyre angazhohen në mënyrë joformale duke ndihmuar drejtpërdrejt individët në komunitetet e tyre, ndërsa pjesa tjetër përmes organizatave të strukturuara.

Dita Ndërkombëtare e Vullnetarëve, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1985, iu kushtohet të gjithë atyre që sakrifikojnë interesat personale në shërbim të shoqërisë. Ajo shihet si një mundësi për të promovuar vlerat e vullnetarizmit dhe për të njohur rolin e tyre përpara komuniteteve, organizatave dhe institucioneve publike e private.

Programi i vullnetarëve të Kombeve të Bashkuara vijon të kontribuojë në paqen dhe zhvillimin global, duke mbrojtur njohjen e punës së vullnetarëve dhe duke ndihmuar në përfshirjen e vullnetarizmit në politikat dhe programet zhvillimore në mbarë botën.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-