Bashkitë Opozitare I Drejtohen Evropës - “Po Cënohet Autonomia Vendore”

Bashkitë Opozitare I Drejtohen Evropës - “Po Cënohet Autonomia Vendore”

Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë, e përbërë nga bashkitë opozitare dhe e drejtuar nga kryebashkiaku i Kavajës, Fisnik Qosja, i është drejtuar me një raport institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe ambasadat e huaja në Shqipëri.

Në këtë dokument, shprehen shqetësime të thella mbi marrëdhënien mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor në Shqipëri. Të zgjedhurit vendorë pretenduan se gjatë viteve të fundit, qeveria ka ndërmarrë veprime që kanë cënuar kompetencat dhe burimet financiare të bashkive, duke vënë në rrezik funksionimin e tyre dhe duke e konsideruar këtë një pengesë serioze në përmbushjen e standardeve evropiane të vetëqeverisjes lokale.

Raporti thekson se ndryshimet ligjore dhe praktikat e ndjekura nga qeveria kanë kufizuar ndjeshëm autonominë e bashkive, duke ndikuar negativisht në ofrimin e shërbimeve bazë për qytetarët. Ndër këto shërbime përmenden menaxhimi i mbetjeve, shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve dhe infrastruktura lokale, të cilat, sipas raportit, janë vënë në rrezik për shkak të ndërhyrjeve të shumta nga qeveria.

Për këtë arsye, kryebashkiakët opozitarë kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve evropiane për të garantuar respektimin e Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore. Ky dokument, i cili është i detyrueshëm për shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, përcakton qartë raportet mes pushtetit qendror dhe atij vendor, duke siguruar mbrojtjen e autonomisë së bashkive.

Kjo lëvizje vjen në një moment kur Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar të gjithë krerëve të bashkive që të rifreskojnë administratën dhe të shkarkojnë drejtorët, një veprim që është interpretuar nga opozita si një tentativë për të ushtruar kontroll të shtuar politik mbi pushtetin vendor.

Kërkesa e bashkive opozitare për mbështetje ndërkombëtare ka ngjallur një debat të gjerë politik, ndërsa palët janë të ndara për pasojat e këtyre ndryshimeve dhe ndërhyrjeve në nivel lokal.

Lajmi nga: Adriatik Golemaj
Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj

Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.

Komente

-