Këshilli i Bashkisë Vlorë pritet të miratojë në mbledhjen e së enjtes vendimin për shtyrjen e administrimit të klubit të futbollit Flamurtari. Aktualisht, klubi është nën administrimin e presidentit Sinan Idrizi, me një kontratë që përfundon në fund të këtij muaji, sipas vendimit të miratuar një vit më parë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku kontratat rinovoheshin çdo vit ose çdo dy vjet, kësaj here shtyrja e administrimit nuk do të ketë një afat të përcaktuar, por do të zgjasë deri në nisjen e procesit të privatizimit – një proces që pritet të niset sa më shpejt.
Klubi Flamurtari është nën administrimin e Sinan Idrizit që prej vitit 2014, dhe që prej asaj kohe, të gjitha investimet janë mbuluar nga vetë ai. Ndërkohë, Bashkia e Vlorës, e cila është edhe pronare e klubit, nuk ka shpenzuar asnjë fond për Flamurtarin prej më shumë se një dekade.
Privatizimi i klubit është kërkuar në mënyrë të përsëritur nga presidenti Idrizi, dhe duket se Bashkia është drejt një vendimi që do ta afrojë këtë proces, duke zgjatur administrimin aktual vetëm deri në fillimin zyrtar të privatizimit.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente