Bashkia e Beratit ka intensifikuar kontrollin në të gjitha bizneset që operojnë në qytet, në kuadër të një aksioni për lirimin e hapësirave publike dhe trotuareve që janë zaptuar pa leje nga bizneset. Ky aksion, i drejtuar nga Inspektoriati i Policisë Bashkiake, ka si qëllim rikthimin e rendit dhe sigurisë për këmbësorët dhe për përdoruesit e hapësirave publike.
Sot, kontrollet janë përqendruar në lagjet "30-Vjetori", "Mangalem" dhe "10 Korriku", veçanërisht në zonat përreth Pedonales, ku bizneset kishin zënë hapësira të konsiderueshme duke vendosur karrige dhe struktura të tjera që pengonin kalimin e qytetarëve.
Policët bashkiakë, të mbështetur nga Policia e Shtetit, kanë ndërhyrë duke larguar karriget që kishin mbushur trotuaret, ndërkohë që u kanë dhënë detyra bizneseve që të largojnë pjesët e ngritura me dërrasa, të cilat ishin ndërtuar pa lejen përkatëse nga Bashkia.
Burime pranë Bashkisë së Beratit kanë konfirmuar se ky aksion është vetëm një hap i parë dhe do të vazhdojë deri në lirimin e plotë të hapësirave publike dhe trotuareve nga çdo strukturë apo objekt të paligjshëm që pengon lëvizjen e qytetarëve.
Komente