Barcelona ka mbyllur përgatitjet verore me një fitore bindëse 5-0 ndaj Comos së drejtuar nga ish-mesfushori i saj, Cesc Fabregas, në një miqësore të zhvilluar mbrëmjen e së dielës në stadiumin “Johan Cruyff”.
Katalanasit e zgjidhën ndeshjen që në pjesën e parë, duke shënuar katër herë brenda 21 minutave. Fermin Lopez hapi serinë e golave në minutën e 21 dhe vetëm 14 minuta më vonë realizoi dopietën personale (35’), duke e çuar avantazhin në 2-0. Vetëm dy minuta më pas (37’), Raphinha gjeti rrugën e rrjetës me një goditje të saktë, ndërsa Lamine Yamal, ylli i ri i Barcelonës, shtoi golin e katërt në minutën e 42 pas një aksioni spektakolar.
Në pjesën e dytë, katalanasit ulën ritmin, por sërish gjetën golin e pestë me Yamal në minutën e 49, i cili kompletoi “manitën” dhe vulosi rezultatin final 5-0.
Ky ishte testi i fundit për Barcelonën para nisjes së La Liga-s, ku më 16 gusht skuadra e Hansi Flick do të përballet në transfertë me Mallorca-n në javën e parë të kampionatit spanjoll. Fitorja e thellë dhe forma e mirë e lojtarëve, sidomos e talenteve të rinj si Yamal dhe Lopez, japin sinjale pozitive për tifozët katalanas, të cilët presin një sezon të suksesshëm.
Nga ana tjetër, për Como-n, kjo ndeshje ishte një provë e vështirë para rikthimit në Serie A, me Fabregas-in që do të kërkojë të forcojë skuadrën në javët e mbetura të merkatos.
Komente