Ish-Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, dhe gruaja e tij, Michelle Obama, po futen në një "territor të ri", atë të komedisë televizive! Dhe jo vetëm kaq por në këtë aventurë me ta është edhe legjenda e humorit amerikan Larry David, autori dhe aktori i famshëm i "Curb Your Enthusiasm".
Trioja po punon për një seri komedie të kufizuar që do të transmetohet në HBO dhe do të fokusohet në historinë amerikane por me një kthesë sarkastike dhe të papritur ashtu siç di vetëm Larry David ta bëjë.
"Presidenti dhe zonja Obama donin të festonin 250-vjetorin e Amerikës dhe të përkujtonin historinë e saj unike… por pastaj erdhi Larry David," lexohet me humor në përshkrimin zyrtar të HBO.
Projekti do të eksplorojë personazhe të harruar ose të injoruar nga historia amerikane duke i paraqitur ato përmes lenteve të satirës. Dhe sipas HBO këto karaktere janë aq "të parëndësishëm" saqë është më mirë që historia t’i kishte lënë në harresë.
Barack Obama, gjithmonë i kujdesshëm dhe diplomatik, shprehu veten me ironi:
"Asgjë që kam përjetuar nuk më ka përgatitur për të punuar me Larry David."
Përkundër faktit që titulli i serisë dhe data e premierës nuk janë zbuluar ende ky projekt po shkakton shumë entuziazëm veçanërisht për faktin se Obamat do të jenë producentë ekzekutivë për herë të parë në një komedi me HBO përmes kompanisë së tyre Higher Ground Productions.
Kjo bashkëpunim e papritur ndërmjet një çifti presidencial dhe një komediani rebel premton një mënyrë të ndryshme për të festuar 250-vjetorin e Amerikës – me të qeshura, sarkazëm dhe shumë surpriza.
Komente