STAMBOLL – Nën kujdesin e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe me pjesëmarrjen e rreth 70 ministrave nga e gjithë bota, u zhvillua në Stamboll Forumi Global i Transportit dhe Ndërlidhjes – një ngjarje ndërkombëtare që bashkon vendet e Europës, Azisë dhe kontinenteve të tjera për të diskutuar sfidat dhe të ardhmen e infrastrukturës së transportit.
Në këtë forum mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila prezantoi progresin e Shqipërisë në transportin rrugor dhe aviacionin civil, si dhe planet ambicioze në zhvillimin e porteve.
“Kam prezantuar projektet e reja që lidhen me portet, të cilat e kanë futur Shqipërinë në një listë tjetër – në listën e vendeve të zhvilluara në aspektin e ndërlidhjes infrastrukturore,” u shpreh ministrja Balluku.
Në diskutimet e forumit u theksua rëndësia e elektrifikimit të hekurudhave, zhvillimit të flotave elektrike, ndërtimit të porteve të gjelbra dhe lidhjes së tyre me portet e thata. U nënvizua gjithashtu se këto projekte nuk njohin më kufij kombëtarë, por synojnë ndikim rajonal dhe ndërkontinental.
Ministrja Balluku theksoi se transporti është kyç për zhvillimin ekonomik, por edhe për jetën e përditshme dhe sigurinë ndërkombëtare. Ajo theksoi se ndërlidhja multimodale është sot një nevojë jetike për çdo vend që synon zhvillim të qëndrueshëm.
Forumi Global për Transportin dhe Ndërlidhjen ripërsëriti thirrjen për bashkëpunim të thelluar mes vendeve dhe rajoneve, për të realizuar projekte të përbashkëta që kontribuojnë në një të ardhme më të lidhur, më efikase dhe më të sigurt për të gjithë.
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente