Balkan Sea Fair 2025: Shqipëria hap një kapitull të ri detar në Marinën e Orikumit

Balkan Sea Fair 2025: Shqipëria hap një kapitull të ri detar në Marinën e Orikumit

Balkan Sea Fair 2025: Shqipëria hap një kapitull të ri detar në Marinën e Orikumit
Për herë të parë, Shqipëria mirëpriti një panair ndërkombëtar të dedikuar industrisë së jahteve dhe jetës detare – Balkan Sea Fair, i zhvilluar në Marinën e Orikumit. Një ngjarje që e pozicionon vendin tonë si një pikë të re referimi në hartën mesdhetare të lundrimit.

Ky edicion i parë, i organizuar nga Balkan Sea Fair Organisation në bashkëpunim me Concord Investment dhe Marinën e Orikumit, zgjati katër ditë dhe mblodhi aktorë kyç të industrisë detare nga Shqipëria dhe jashtë saj.

Organizatorët kryesorë të kësaj nisme ishin:

Monica Micheli Panozzo – Drejtore Ekzekutive

Enri Jahaj – Drejtor Operacional

Gjon Radovani – Bashkëthemelues dhe Partner Strategjik

Një event që lidh brigjet dhe krijon mundësi
Mbi 50 kompani nga Shqipëria, Italia, Turqia, Kroacia dhe Gjermania ekspozuan produktet dhe shërbimet e tyre. Panairi u shndërrua në një pikë takimi për profesionistë të fushës, investitorë, studentë dhe vizitorë të apasionuar pas detit.

Rreth 2,000 vizitorë morën pjesë në dy ditët kryesore të aktivitetit, ndërsa interesi ishte i lartë edhe nga përfaqësues të institucioneve si Ministria e Ekonomisë, AIDA, si dhe shkollat teknike dhe universitetet detare të Vlorës dhe Durrësit.

Ndër emrat më të spikatur të panairit ishte Timone Yachts, përfaqësuar nga Aldi Bozaxhiu, partner zyrtar i Pardo Yachts. Ai është ndër të parët që ka investuar në krijimin e një tregu serioz të jahteve në Shqipëri, duke vendosur standarde të reja për shërbimin detar në vend.

Shqipëria si portë e re në Mesdhe
Ky panair shënon fillimin e një epoke të re. Shqipëria, edhe pse ende nuk e ka përqafuar plotësisht kulturën e jahteve, ka potencialin natyror për ta zhvilluar këtë industri. Me Adriatikun dhe Jonin që e rrethojnë, vendi ynë ka mundësinë të ndërtojë një komunitet të qëndrueshëm detar, që përfshin jo vetëm turizmin, por edhe arsimin profesional dhe zhvillimin e bizneseve të lidhura me marinën.

Raporti zyrtar i Balkan Sea Fair përmend:

Interes në rritje nga organizata si Assomarinas dhe Navigo

Marrëveshje bashkëpunimi me Italinë dhe Turqinë

Shitje të drejtpërdrejta nga markat pjesëmarrëse

Mbulim mediatik nga revista të specializuara kombëtare dhe ndërkombëtare

Shqipëria pozicionohet si një destinacion në zhvillim për jahte dhe turizëm elitar

Sfidat e edicionit të parë
Frekuentimi i ulët ditën e fundit, për shkak të mbylljes së rrugëve nga zgjedhjet dhe aktiviteti sportiv Giro d’Italia, si dhe disa sfida logjistike, treguan se ka vend për përmirësim në edicionet e ardhshme.

Por mesazhi ishte i qartë: deti është pasuria jonë dhe mundësia jonë. Me investime të qëndrueshme dhe mbështetje institucionale, Shqipëria mund të kthehet në një qendër rajonale të yachting-ut dhe jetës marina.

Lajmi nga: BLU TV Reports
Media e dytë

Komente

-