Bajram Mato – Piktori që nuk iu nda kurrë telajos

Bajram Mato – Piktori që nuk iu nda kurrë telajos

I lindur në vitin 1955 në Roskovec të Fierit, piktori Bajram Mato ka mbushur 70 vjeç. E gjejmë në banesën e tij në zonën e kodrave të fshatit Radhimë të Vlorës. Prej kohësh, familja e tij është zhvendosur në këtë zonë, aty ku edhe Bajrami vijon të punojë në studion e tij, gjithmonë pranë telajos.

Çdo ambient i shtëpisë është i mbushur me piktura të shumta – më shumë se 1000 sipas tij – që variojnë nga portrete, natyra e qetë, deri tek punime të realizuara para viteve ’90. Në studion e tij, Bajrami po punonte një pikturë të frymëzuar nga fshati Dukat i Vlorës. Ai rrëfen për sakrificat që ka kaluar në jetë për të arritur aty ku është sot.

Që në fëmijëri ishte aktiv në vizatime, të cilat, nëse vlerësoheshin si më të mirat, përdoreshin për ekspozita murale në shkollë. “Çdo herë përpiqesha të bëja diçka më të bukur dhe më të mirë përmes pikturës,” shprehet ai.

Për të ndjekur Liceun Artistik, ai përballet me pengesa dhe vonesa burokratike. Edhe kur më në fund fiton të drejtën për të ndjekur shkollën, thirret për shërbimin ushtarak. Gjatë shërbimit, në vitin 1973, ai realizon një pikturë të fushave të puseve të naftës, e cila paraqitet në Ekspozitën Kombëtare të Artit. “Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme dhe një shtysë për të vazhduar më tej”, kujton ai.

Punimet e tij janë ekspozuar në shumë qytete të Shqipërisë dhe jashtë saj, përfshirë Italinë, ku janë pritur me vlerësime pozitive. Edhe pse në vitet ’90 emigroi në Itali me familjen, Bajrami nuk iu nda kurrë pasionit për pikturën. Atje organizoi disa ekspozita me pamje nga Shqipëria, duke ruajtur lidhjen shpirtërore me vendin.

Ajo që e bën të veçantë stilin e Bajram Matos është se rreth 50% e pikturave të tij janë realizuar me spatul dhe jo me penel, duke i dhënë veprave një teksturë unike dhe shije të veçantë për syrin e artdashësit.

Sot, Bajrami dëshiron të përcjellë këtë pasion te mbesa e tij, e cila qëndron gjithnjë pranë tij sa herë hyn në studio për të pikturuar.

“Piktura është bashkudhëtare për mua, dhe sa të kem sy dhe duar, nuk do të ndalem. Më jep kënaqësi, më qetëson dhe më mban larg çdo stresi”, shprehet piktori Bajram Mato.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-