Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mangësi të theksuara në funksionimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor gjatë auditimit për vitin 2024, duke konstatuar dobësi strukturore, procedurale dhe funksionale në administrimin, monitorimin dhe kontrollin e barnave të rimbursueshme.
Sipas raportit të auditimit, gjatë periudhës së verifikuar janë identifikuar gjithsej 45 gjetje që kërkojnë masa organizative, 3 gjetje me ndikim ekonomik dhe 6 masa administrative. Këto gjetje tregojnë probleme të vazhdueshme në zbatimin e detyrimeve kontraktuale dhe në funksionimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm.
Një nga problematikat kryesore lidhet me mungesën e verifikimit të çmimeve dhe kontrollit efektiv të barnave të rimbursueshme. Auditimi ka konstatuar se gjatë kontrolleve në depot farmaceutike nuk është zbatuar verifikimi i detyrueshëm për respektimin e çmimeve të miratuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme dhe për përputhjen me pullën e sigurisë. Kjo ka cenuar transparencën financiare dhe ka penguar vlerësimin real të përputhshmërisë së çmimeve të tregtimit me çmimet e referencës.
Raporti evidenton gjithashtu probleme në procesin e inventarizimit të barnave. Në procesverbalet e inventarizimeve fizike janë pasqyruar vetëm sasitë, ndërsa mungon dokumentimi i datave të skadencës për secilin produkt. Kjo mangësi e bën të pamundur vlerësimin e disponueshmërisë reale të barnave dhe respektimin e detyrimeve kontraktuale për sigurimin e gjendjeve minimale të barnave alternative të para dhe të vetme.
Mungesa e barnave është konstatuar edhe në farmacitë spitalore në QSUT, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë. Në QSUT, inventarizimi i kryer në shkurt 2024 ka mbuluar vetëm 8% të konsumit për një periudhë më shumë se njëvjeçare. Për 26 barna, nga të cilat 14 alternative të vetme dhe 12 alternative të para, nuk ka pasur disponueshmëri as në fillim dhe as në fund të periudhës së kontrollit, pa u raportuar kjo situatë në strukturat drejtuese. Gjithashtu, janë evidentuar diferenca sasiore konkrete dhe mungesa të barnave alternative në të gjitha spitalet e audituara.
Probleme të rënda janë konstatuar edhe në funksionimin e sistemit “e-depo”. Auditimi ka evidentuar mangësi në regjistrimin dhe monitorimin e hyrje-daljeve të barnave, si dhe shpërndarje të barnave të destinuara për përdorim spitalor në rrjetin e hapur, në kundërshtim me kontratat dhe legjislacionin. Janë konstatuar raste të shitjes së barnave me datë skadence të njëjtë ose shumë pranë datës së shitjes, duke krijuar rrezik për sigurinë e pacientëve.
Raporti evidenton edhe diferenca të pajustifikuara financiare dhe rimbursime të kryera pa të drejtë. Janë konstatuar raste ku inventarët fillestarë nuk përputhen me gjendjen fizike, si dhe farmaci që kanë përfituar rimbursime të plota për barna të marrë pa kosto, duke realizuar përfitime financiare të pajustifikuara në kundërshtim me qëllimin e skemës së rimbursimit.
Pavarësisht mungesave të konstatuara të barnave alternative të vetme dhe të para, auditimi vëren se nuk janë aplikuar penalitetet e parashikuara në kontrata, të cilat arrijnë deri në disa milionë lekë, dhe as masat ndëshkuese për raste të përsëritura. Kjo situatë tregon dobësi të theksuara në kontrollin e brendshëm dhe mungesë reagimi institucional.
Në përfundim, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, standardizimin e inventarizimeve fizike me dokumentim të plotë të datave të skadencës, monitorim më rigoroz të sistemit “e-depo”, si dhe zbatim strikt të penaliteteve kontraktuale. Gjithashtu kërkohet rishikim i praktikave të rimbursimit, me qëllim shmangien e përfitimeve të pajustifikuara dhe garantimin e përdorimit të fondeve publike vetëm për mbulimin real të kostove të barnave për qytetarët.
Komente