Auckland/ Arrestohet 32-vjeçari që dyshohet se gëlltiti një vezë Fabergé me vlerë 19 mijë dollarë

Auckland/ Arrestohet 32-vjeçari që dyshohet se gëlltiti një vezë Fabergé me vlerë 19 mijë dollarë

Një episod i pazakontë është raportuar në Auckland të Zelandës së Re, ku policia ka arrestuar një 32-vjeçar të dyshuar për vjedhjen e një vezë të rrallë Fabergé, që mendohet se e ka gëlltitur gjatë ngjarjes. Autoritetet bëjnë me dije se objekti, i vlerësuar rreth 19 300 dollarë amerikanë, nuk është rikuperuar ende.

Incidenti ndodhi të premten në dyqanin prestigjioz “Partridge Jewellers”, në qendër të qytetit. Policia ndërhyri menjëherë pas sinjalizimit dhe arrestoi të dyshuarin në vendngjarje, ndërsa vijojnë hetimet për të gjetur veprën e artit luksoze.

Sipas përshkrimit të bizhuterisë, veza e quajtur “Octopussy” është një model i punuar me dorë, i dekoruar me 60 diamante të bardhë dhe 15 safirë blu, ndërsa brenda saj ndodhet një oktapod i vogël prej ari 18-karatësh. Modeli është frymëzuar nga filmi i njohur i James Bond, “Octopussy”, ku një nga linjat kryesore të fabulës ka pikërisht grabitjen e vezëve Fabergé.

I arrestuari është nënshtruar një kontrolli mjekësor për të verifikuar pretendimin se kishte gëlltitur objektin dhe aktualisht mbahet në paraburgim. Ai do të dalë sërish para gjykatës më 8 dhjetor, ndërsa policia vazhdon të hetojë mënyrën e vjedhjes dhe fatin e vezës së humbur.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-