Art që lidh kultura: Studente polake dhuron pikturën e saj për Galerinë ‘Art Saranda’

Art që lidh kultura: Studente polake dhuron pikturën e saj për Galerinë ‘Art Saranda’

Një gjest i veçantë vjen këtë sezon nga Galeria “Art Saranda”, ku një studente e Akademisë së Artit në Krakov të Polonisë ka dhuruar një nga punimet e saj për këtë institucion kulturor.

Polina, e cila ka vizituar Sarandën dhe Butrintin, është frymëzuar nga bukuritë e qytetit antik për të realizuar një peizazh të veçantë, të cilin vendosi ta dhurojë në mënyrë simbolike Galerisë “Art Saranda”, si shenjë mirënjohjeje për përjetimet e saj pozitive.

Drejtori i Galerisë, Lefter Çeko, në një prononcim për Blu Televizion, u shpreh:
“Ky dhurim ishte një surprizë shumë e bukur për ne, një nga momentet më të veçanta të këtij sezoni.”

Polina, në një intervistë në anglisht, tha se vizitat në Sarandë dhe frymëzimi që i fali qyteti dhe galeria, ishin nxitësi kryesor për t’i lënë një gjurmë të sajën në këtë institucion artistik.
“Jam shumë e lumtur që mund të jap diçka mbrapsht një vendi që më ka dhënë aq shumë frymëzim,” u shpreh ajo.

Pas nënshkrimit të aktit të dhurimit së bashku me drejtorin Lefter Çeko, studentja polake vlerësoi gjithashtu ekspozitat dhe fondin e pasur të veprave që Galeria “Art Saranda” i ofron vizitorëve.

Prej 13 vitesh, Galeria ka ndërtuar një koleksion të vyer me vepra arti në pikturë dhe skulpturë, falë dhurimeve të qindra autorëve që kanë ekspozuar punët e tyre, si në ekspozita individuale, ashtu edhe në koloni artistike.

Lajmi nga: Efrosina Papa
Efrosina Papa

Efrosina Papa

Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.

Komente

-