Arrestohet 26-vjeçari që kërcënoi me armë dhe qëlloi në ajër në Shkodër

Arrestohet 26-vjeçari që kërcënoi me armë dhe qëlloi në ajër në Shkodër

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 26-vjeçar, i cili akuzohet se ka kanosur me armë zjarri një 20-vjeçar, duke qëlluar në ajër pas një konflikti për motive të dobëta. Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Tre Heronjtë”, ndërsa Policia ka bërë të mundur edhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së përdorur.

Sipas të dhënave hetimore, shtetasi A. Sh., 26 vjeç, dyshohet se pas një konflikti verbal ka kërcënuar shtetasin Xh. G., 20 vjeç, duke shkrepur me armë zjarri (automatik) në ajër. Reagimi i menjëhershëm i shërbimeve të Policisë, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, bëri të mundur identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e tij brenda një kohe të shkurtër.

Arma e zjarrit e përdorur në incident është sekuestruar, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-