Administratorja e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), Arlinda Pogaj, ka reaguar me tone të forta pas publikimit të një artikulli në disa media online, ku pretendohej se ajo kishte marrë pjesë në një festë në jaht me një biznesmen fitues tenderi. Pogaj i ka cilësuar lajmet si shpifje të rënda, të fabrikuara dhe me qëllim përçmues, duke i mohuar kategorikisht të gjitha pretendimet.
“Asnjëherë në një jaht, asnjëherë me atë person”
“Nuk kam qenë kurrë në jetën time në një jaht, e jo më në atë që përmendet në artikull. Individin që përmendet, nuk e njoh, nuk e kam takuar dhe nuk kam pasur asnjë formë komunikimi me të,” – thekson Pogaj në deklaratën e saj publike.
Ajo shprehet se artikulli është një sajesë e pastër, me synim të qartë delegjitimimin e saj si grua në funksion publik, dhe përpjekje për të dëmtuar imazhin dhe integritetin profesional.
“Jam zyrtare e shtetit dhe nënë e dy fëmijëve”
“Prej vitesh kam shërbyer me përkushtim dhe integritet në administratën publike shqiptare. Por sot, për herë të parë, jam e detyruar të reagoj jo për një çështje institucionale, por për një shpifje brutale dhe të organizuar, që më godet si grua, si profesioniste dhe si qytetare,” – vijon Pogaj, duke theksuar se është nënë e dy fëmijëve dhe zyrtare shtetërore, e vendosur për të mbrojtur emrin dhe figurën e saj.
“Ky nuk është keqkuptim mediatik, por dhunë publike ndaj një gruaje”
Në reagimin e saj, Pogaj e quan këtë publikim jo thjesht një gabim mediatik, por një formë të dhunës publike ndaj grave në pozicione drejtuese, që shërben si mjet përjashtimi institucional përmes përçmimit dhe shpifjes.
“Ky artikull nuk është një keqkuptim mediatik, por dhunë publike ndaj një gruaje në funksion publik – një tentativë për të më delegjitimuar përmes përçmimit të figurës, si një formë e strukturuar përjashtimi institucional që përdor shpifjen si mjet politik dhe social,” – përfundon ajo.
Efrosina Papa, gazetare me një karrierë 26-vjeçare në median e Vlorës, është një zë i dalluar i informimit lokal, që ka ndërtuar me përkushtim urën mes qytetarëve dhe ngjarjeve të ditës. Ajo është e njohur për pasqyrimin e drejtë dhe të ndershëm të realitetit, me vëmendje të veçantë ndaj historive njerëzore dhe figurave punëtore të komunitetit.
Komente