Arinjtë polarë po helmohen nga merkuri i hedhur një shekull më parë

Arinjtë polarë po helmohen nga merkuri i hedhur një shekull më parë

Një studim i ri i publikuar në Nature Communications zbuloi se ndotja me mërkur nga epoka e hershme e djegies së qymyrit dhe minierave të arit vazhdon të helmojë ekosistemet e Arktikut edhe pas më shumë se 100 vitesh.

Pavarësisht përpjekjeve globale për të ulur ndotjen, nivelet e merkurit në grabitqarët kryesorë të Arktikut – si arinjtë polarë dhe balenat me dhëmbë – mbeten alarmante. Studiuesit zbuluan se ndotja e "trashëguar", që qarkullon përmes rrymave oqeanike, është shkaktari kryesor i kësaj krize.

Gjatë 40 viteve të fundit, shkencëtarët analizuan mbi 700 mostra nga Groenlanda – nga inde shtazore deri te shtresat e torfës në tokë. Përmes “gjurmës kimike” të izotopeve të merkurit, ata zbuluan se përqendrimet e merkurit nuk kanë rënë; në disa raste, madje, vazhdojnë të rriten.

“Ky zbulim na ndihmon të kuptojmë pse nivelet e merkurit në Arktik nuk po bien,” tha profesori Rune Dietz, një nga bashkautorët e studimit. “Transportimi i merkurit nga burime të mëdha si Kina deri në Groenlandë përmes rrymave oqeanike mund të zgjasë deri në 150 vjet.”

Merkuri që lëshohet në ajër mund të qarkullojë për rreth një vit përpara se të depozitohet në Tokë. Por kur hyn në oqean, ai mund të qëndrojë aty për qindra vite, duke udhëtuar ngadalë drejt veriut.

Rajone si Groenlanda Perëndimore ndikohet nga rrymat atlantike që sjellin ujëra të ndotura me merkur, ndërsa zona të tjera marrin ndotje nga rrymat e Arktikut. Sipas të dhënave, përqendrimet e merkurit në balenat beluga janë deri në 30 herë më të larta se para Revolucionit Industrial.

“Nuk kemi prova për vdekje të drejtpërdrejta të grabitqarëve të mëdhenj,” tha Dietz për BBC Science Focus, “por ngarkesat me merkur në balenat me dhëmbë, arinjtë polarë dhe edhe tek popullatat inuite janë aq të larta sa mund të shkaktojnë dëmtime neurologjike.”

Merkuri është një neurotoksinë e fuqishme që dëmton sistemin nervor, imunitar dhe atë riprodhues. Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit atë si një nga “10 kimikatet më të rrezikshme për shëndetin publik.”

Zbulimet kanë pasoja serioze për Konventën Minamata të OKB-së, një marrëveshje globale që synon uljen e ndotjes nga merkuri. Megjithëse ulja e emetimeve është e domosdoshme, studimi tregon se për Arktikun do të duhen breza të tërë për t'u rikuperuar.

Ekipi shkencor do të vazhdojë të studiojë ndikimin e merkurit në këtë ekosistem delikat. Sipas Dietz, modelimi i kohës që i duhet merkurit të udhëtojë nga ndotës të mëdhenj si Kina në rajonet e Arktikut mund të jetë kyç për ta kuptuar dhe, një ditë, për ta zbutur këtë kërcënim afatgjatë.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-