Argjentina është përfshirë nga një valë e ftohti polar që ka sjellë temperatura rekord, duke e renditur vendin mes më të ftohtëve në botë, përkrah Groenlandës dhe Kilit. Sipas të dhënave meteorologjike ndërkombëtare, 1 korriku mund të shënojë ditën më të ftohtë të vitit për zonën metropolitane të Buenos Aires, me temperatura që zbresin nën 0°C.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e mediave është reshja e dëborës në zonat bregdetare, përfshirë plazhin e Miramar, një vendpushim turistik 46 km nga Mar del Plata. Dëbora filloi të dielën në mbrëmje dhe u intensifikua gjatë natës, duke krijuar një panoramë të pazakontë për këtë zonë.
Në pjesë të tjera të vendit, temperaturat kanë rënë në nivele ekstreme:
Në Esquel, në provincën e Chubut, u regjistrua -17.2°C;
Në disa zona të provincës së Río Negro, temperaturat zbresin nën -20°C;
Në Malargue të Mendozës, termometri shënoi -15.1°C;
Ndërsa në Villa Reynolds, në provincën e San Luis, temperatura ra në -12°C.
Kjo valë e ftohti ka krijuar vështirësi në qarkullim dhe pritet të zgjasë për disa ditë. Autoritetet në Argjentinë kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht për të moshuarit dhe grupet vulnerabël, ndërsa shërbimet meteorologjike vijojnë të monitorojnë situatën nga afër.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente