Qeveria ka dhënë dritën jeshile për Amnistinë Penale, një nismë që prek mijëra të dënuar dhe synon të lehtësojë presionin mbi sistemin penitenciar, duke promovuar një qasje më rehabilituese të drejtësisë penale.
Sipas Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, 447 persona do të lirohen menjëherë nga burgu, ndërsa 853 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Paralelisht, 5 077 të dënuar me masa alternative përfitojnë nga amnistia përmes Shërbimit të Provës, ndërsa rreth 14 mijë procedime për vepra të lehta do të pushohen duke filluar nga viti 2024.
Ministri theksoi se kjo nismë nuk përbën tolerancë ndaj krimit, por një politikë të matur që synon riintegrimin shoqëror dhe përdorimin më efikas të drejtësisë penale, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, veçanërisht për uljen e paraburgimit të panevojshëm.
Lamallari shprehu pritshmërinë që Kuvendi ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa, në mënyrë që efektet e amnistisë të nisin sa më shpejt. Ai theksoi se objektivi është ndërtimi i një sistemi që di të ndëshkojë fort kur është e nevojshme, por që njëkohësisht ofron mundësi të dyta për ata që kanë shkelur ligjin.
Nga përfitimet e amnistisë përjashtohen rastet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat trajtohen nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme. Pas depozitimit në Kuvend, projektligji do të kalojë nëpër komisionet parlamentare përpara se të votohet në seancë plenare.
Komente