Një amerikane e cila kishte ëndërruar gjithmonë të linte Shtetet e Bashkuara për të jetuar në Europë ka zbuluar një destinacion magjepsës, të cilin e krahason me Maldivet ku birrat kushtojnë vetëm rreth 1,50 £ dhe qiraja mujore e një apartamenti komod mund të jetë nën 500 dollarë.
Cepee Tabibian e cila u shpërngul nga Teksasi në Spanjë në moshën 35-vjeçare, rrëfen se vetëm vitin e kaluar vizitoi Shqipërinë – një vend që sipas saj, shumë amerikanë nuk e dinë ta tregojnë në hartë. E frymëzuar nga komentet pozitive që kishte dëgjuar, Cepee kaloi një muaj në qytetin e Tiranës duke eksploruar më pas rivierën shqiptare për të zbuluar se “çfarë po e shkaktonte gjithë këtë bujë”.
Sipas saj, Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë por “i plotëson shumë nga kushtet që kërkon kushdo që dëshiron të ndërrojë jetën në SHBA me Europën”. Ajo e përshkruan vendin si të përballueshëm për buxhetin dhe plot me bukuri natyrore e me një ndjenjë të fortë komuniteti.
Çmime të ulëta dhe peizazhe përrallore
“Shqipëria është një nga të paktat vende në Europë ku ende mund të marrësh një apartament komod për më pak se 500 dollarë në muaj. Çmimi i ushqimeve, i ngrënies jashtë dhe i shërbimeve shëndetësore është shumë i përballueshëm, duke e bërë vendin ideal për nomadët digjitalë dhe për ata që duan të dalin në pension në kontinent”, shkruan ajo.
Gjatë udhëtimit, Cepee përshkoi rivierën shqiptare, vizitoi Sarandën – një qytet bregdetar me bulevard të bukur dhe jetë të gjallë – dhe u mahnit nga fakti që në shtator mund të notonte e të bënte plazh në plazhe pothuajse bosh, diçka e rrallë krahasuar me Spanjën apo Italinë. “Në ditë të kthjellëta mund të shohësh Greqinë përtej. Ishulli i Korfuzit është vetëm 30 minuta larg me traget”, tregon ajo.
Nga bregdeti luksoz tek plazhet sekrete
Shqipëria, e cila deri në vitin 1992 ishte e izoluar nga regjimi komunist, ka përjetuar një bum turistik në dekadën e fundit, por ende ruan një ndjesi autentike. Riviera shqiptare ofron gjithçka – nga hotelet luksoze buzë detit, te gjiret e fshehura me ujë të kristaltë dhe rërë të bardhë.
Në jug, Ksamil po bëhet gjithnjë e më i famshëm në rrjetet sociale si “Maldivet e Europës”, ndërsa plazhe si Pema e Thatë tërheqin vizitorë me kasollet buzë detit dhe hamakët e qirasë nën 10 dollarë, që janë kthyer në hit në TikTok.
Ndërkohë, Dhërmiu mbetet një nga pikat më të nxehta turistike të vendit, me rreth 5 kilometra vijë bregdetare, jetë nate të gjallë dhe festivalin ndërkombëtar Kala Fest. Birrat buzë plazhit kushtojnë rreth 2 dollarë, ndërsa një dhomë me pamje nga deti mund të gjendet për vetëm 30 dollarë nata.
Cepee e përmbyll rrëfimin e saj duke thënë se Shqipëria është ende një sekret i hapur – një vend ku mund të përjetosh luks natyror, kulturë të pasur dhe mikpritje të ngrohtë, pa boshatisur portofolin.
Komente