Ambasadori shqiptar në Vjenë -  Fate Velaj takon homologun e tij, Gianni Pugliese: Nis një nismë kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë

Ambasadori shqiptar në Vjenë - Fate Velaj takon homologun e tij, Gianni Pugliese: Nis një nismë kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë

Projekti “Një urë e quajtur Kulturë” do të bashkojë dy popujt përmes artit dhe traditës.

Më 24 korrik, Ambasadori shqiptar në Vjenë, Fate Velaj, u takua me homologun e tij italian, Ambasadorin Gianni Pugliese, në Ambasadën e Italisë në Vjenë. Takimi, i mbajtur në një atmosferë miqësore dhe frymëzuese, kishte në fokus zhvillimin e projekteve të përbashkëta kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë.

Gjatë takimit, Ambasadori Velaj shpjegoi se një nga iniciativat kryesore të diskutuar ishte projektet kulturore që synojnë të afrojë komunitetet shqiptare dhe italiane në Austri. Ai njoftoi se Ambasada e Shqipërisë në Vjenë ka filluar një nismë të re, të titulluar “Një urë e quajtur Kulturë,” që ka për qëllim të krijojë mundësi bashkëpunimi dhe promovimi të kulturave të dy vendeve.

“Ne hodhëm bazat për një nismë të përbashkët kulturore, – shpjegon Fate Velaj. – Ky projekt do të fokusohet në mbështetje të komunitetit shqiptar dhe italian në Austri dhe do të shërbejë si një urë për të bashkuar dy popujt tanë."

Emri i këtij projekti do të jetë “Dashuri”, duke pasqyruar lidhjen e ngushtë dhe miqësinë e thellë mes Shqipërisë dhe Italisë. "Kjo do të jetë një mundësi për të shpërndarë dashurinë që ndan ky bashkëpunim, dhe gjithashtu do të nxjerrë në pah vlerat e përbashkëta kulturore që na lidhin," shtoi Ambasadori Velaj.

Një ngjarje e veçantë do të organizohet më 26 nëntor në Ambasadën e Italisë në Vjenë, në Sallën e Pasqyrave, ku do të bashkohen art, muzikë, poezi dhe folklor. Kjo mbrëmje do të shërbejë si një mundësi për të theksuar kulturën arbëreshë dhe do të festojë trashëgiminë e pasur kulturore që lidh Shqipërinë dhe Italinë.

"Do të jetë një mbrëmje e paharrueshme, e mbushur me dialog, afërsie kulturore dhe një festë të folklorit arbëresh, një pasuri që bashkon dy kombet," – përfundon Ambasadori Velaj.

Ky projekt i ri është një hap tjetër në forcimin e marrëdhënieve kulturore dhe diplomatikë mes dy vendeve, duke e vendosur Shqipërinë dhe Italinë në qendër të dialogut ndërkulturor në Vjenë.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-