Nju Jork, 12 qershor – Një valë e pazakontë të nxehti në Arktik ka shkaktuar pasoja të rënda mbi shtresën e akullit në Groenlandë, e cila është shkrirë 17 herë më shpejt se mesatarja sezonale gjatë muajit maj, sipas raportit të fundit të publikuar nga rrjeti shkencor World Weather Attribution (WWA).
Temperaturat në Islandë dhe Groenlandë kanë qenë ndjeshëm mbi normat historike. Në Islandën lindore, temperaturat ditore kanë tejkaluar mesataren e periudhës 1991–2020 me mbi 13 gradë Celsius, ndërsa në Groenlandën lindore dita më e nxehtë ka rezultuar 3.9 gradë më e ngrohtë se klima para-industriale.
Sipas WWA, këto temperatura ekstreme, të cilat kanë një probabilitet shumë të ulët përsëritjeje – vetëm një herë në 100 vjet – përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për infrastrukturën dhe komunitetet në këto rajone të ndërtuara për kushte të ftohta.
Pasojat e menjëhershme dhe rreziku i përsëritjes
Në Islandë, vala e të nxehtit ka shkaktuar derdhje të asfaltit në rrugë, duke krijuar kushte të rrezikshme për qarkullimin. Ndërkohë në Groenlandë, shkrirja e shtresës së akullit dhe thyerja e akullit detar po kërcënon mënyrën tradicionale të jetesës për komunitetet që varen nga gjuetia dhe peshkimi.
Temperatura më e lartë e regjistruar në maj – 26,6 gradë Celsius – u shënua në qytetin Egilsstaðir të Islandës, një rekord që, sipas ekspertëve, ka një periudhë kthimi prej mbi 110 vjetësh në klimën aktuale.
WWA thekson se ndryshimet klimatike janë faktor kyç në këto ekstreme atmosferike. Modelet e parashikimit sugjerojnë se me rritjen globale të temperaturës në 2.6 gradë Celsius, ngjarje të tilla jo vetëm që do të bëhen më të zakonshme, por edhe më intensive.
Përshtatja ndaj klimës bëhet urgjente
Të dy vendet – Islanda dhe Groenlanda – po përballen me nevojën e menjëhershme për përshtatje ndaj kushteve të reja klimatike. Islanda ka nisur hartimin e planeve konkrete të adaptimit duke u fokusuar në infrastrukturën publike dhe sistemet sociale. Në të njëjtën kohë, autoritetet në Groenlandë po e trajtojnë nxehtësinë si një kërcënim të ri për shëndetin publik.
Ndërsa Arktiku ngrohet më shpejt se çdo rajon tjetër në botë, rritja e temperaturave dhe zhvendosja e modeleve të reshjeve janë kthyer në sfida madhore për të ardhmen e qëndrueshme të këtyre territoreve.
Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.
Komente