Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë të ditur se gjatë kontrolleve në Pikën e Inspektimit Kufitar në Han të Hotit ka konstatuar prani të Aflatoksinës B1 në dy ngarkesa me misër të destinuara për ushqim kafshësh dhe me origjinë nga Serbia. Mostrat janë marrë në kuadër të Planit Vjetor të Kontrollit, ndërsa analizat laboratorike kanë konfirmuar ndotjen me këtë substancë të rrezikshme.
Institucioni njofton se njëra prej ngarkesave është kthyer menjëherë në vendin e origjinës, ndërsa tjetra është bllokuar në ambientet e subjektit dhe do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit, si masë mbrojtëse për të shmangur hyrjen në zinxhirin ushqimor.
AKU thekson se produktet ushqimore të importuara i nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme dhe rigorozitetit të nevojshëm, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Komente