Aksioni kombëtar për formalizimin e tregut bujqësor dhe blegtoral ka rezultuar në bllokimin e 94 tonëve produkte gjatë kontrolleve të zhvilluara në disa qarqe të vendit. Operacioni ka për qëllim sigurimin e gjurmueshmërisë për çdo produkt dhe ndalimin e tregtimit të mallrave që nuk plotësojnë kriteret e legjislacionit tatimor.
Ministrja Denaj: "Të mbrojmë prodhuesit e ndershëm dhe të rrisim sigurinë ushqimore"
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njoftoi se aksioni ka për qëllim të sigurojë që çdo produkt të jetë i deklaruar dhe i gjurmueshëm, duke ndaluar praktikën e tregtimit në shkelje të ligjit dhe duke mbrojtur prodhuesit e ndershëm. Ajo shtoi se 94 tonë produkte bujqësore dhe blegtorale janë bllokuar gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të aksionit kombëtar.
“Ky aksion ka si synim eliminimin e praktikave të paligjshme që dëmtojnë si bujqit, ashtu edhe konsumatorët, dhe të kontribuoni në rritjen e sigurisë ushqimore në vend," u shpreh Denaj.
Fushata e kontrollove, tashmë në disa qarqe të tjera
Fushata e nisur më 14 korrik në Tiranë nga Ministria e Bujqësisë dhe Administrata Tatimore është shtrirë tashmë në qarqe të tjera të vendit. Kontrollimet po kryhen me bazë risku dhe synojnë përmirësimin e gjurmueshmërisë dhe forcimin e standardeve të tregut ushqimor. Ky aksion është pjesë e përpjekjeve për të siguruar tregje më të rregulluara dhe të mbrojtura, për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore në vend.
Komente