Një aksion i përbashkët i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Policisë Bashkiake të Sarandës është zhvilluar paraditen e sotme në zonën turistike të Ksamilit, ku është shembur një banesë që ishte ndërtuar pa leje.
Objekti ndodhej pranë një prej zonave më të frekuentuara nga turistët dhe konsiderohej ndërtim informal, i ngritur në mënyrë të paligjshme dhe jashtë çdo kriteri urbanistik. Ndërhyrja e autoriteteve u krye pa përplasje dhe pa rezistencë nga banorët, ndërsa procesi i shembjes u ndoq me mjete të specializuara.
Ky aksion është pjesë e operacioneve të përhershme të nisura nga autoritetet lokale për verifikimin dhe eliminimin e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Sipas IKMT-së, qëllimi është rivendosja e ligjshmërisë, mbrojtja e hapësirave publike dhe garantimi i zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe turistik në jug të vendit.
Burime pranë bashkisë bëjnë me dije se aksione të ngjashme do të vijojnë edhe në ditët në vijim në Ksamil, Sarandë dhe zonat përreth, ku është konstatuar se janë shtuar rastet e ndërtimeve të paligjshme. Autoritetet paralajmërojnë zero tolerancë ndaj shkelësve të ligjit urbanistik, veçanërisht në bregdetin jugor, që këtë verë ka njohur një rritje të ndjeshme të turistëve vendas dhe të huaj.
Komente