Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e sotme në zonën malore të Dhëmbelit, në Bashkinë e Përmetit. Një 68-vjeçar nga fshati Lipë, Njësia Administrative Petran, ka pësuar një aksident teksa ndodhej në Qafën e Mënit, së bashku me kafshën e punës.
Sipas njoftimit të policisë, Luan Lame, 68 vjeç, ka rrëshkitur në një terren të vështirë rreth orës 12:40, duke përfunduar nën peshën e kafshës së tij (pelë), çka i ka shkaktuar fraktura të rënda dhe paaftësi për të lëvizur.
Menjëherë pas telefonatës së tij për ndihmë, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, shërbimi i policisë dhe autoambulanca, të cilat kanë bërë të mundur shpëtimin dhe transportimin e të lënduarit drejt Spitalit të Përmetit për ndihmë mjekësore dhe ekzaminime të mëtejshme.
Burime zyrtare konfirmojnë se gjendja shëndetësore e 68-vjeçarit është jashtë rrezikut për jetën.
Komente