Aksident në Klos, makina bie në përroin e Darsit, një i ri në kërkim

Aksident në Klos, makina bie në përroin e Darsit, një i ri në kërkim

Një automjet tip “Audi” me targa angleze doli nga rruga pas mesnatës dhe përfundoi në përroin e fshatit Dars, në njësinë administrative Klos. Në mjet udhëtonin dy persona nga fshati Fullqet.

Drejtuesi i automjetit, Andi Losha, 24 vjeç, arriti të dalë nga makina dhe të mbijetojë, ndërsa pasagjeri, Jurgen Karaj, 30 vjeç, dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit. Sipas burimeve, 30-vjeçari ishte i dobët dhe i sëmurë, çka mendohet se e ka penguar të dalë nga përroi.

Fillimisht, shërbimet e Policisë që mbërritën në vendngjarje nuk gjetën asnjë person, duke dyshuar se rrjedha kishte marrë të gjithë personat që ndodheshin në automjet. Pas veprimeve hetimore u konstatua se drejtuesi i mjetit kishte dalë nga uji dhe ishte larguar nga vendngjarja pa njoftuar autoritetet, duke lënë në përroin e ujit mikun e tij.

24-vjeçari Andi Losha u arrestua nga Policia, ndërsa nga testimi rezultoi se ai e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur polumbarë të forcave RENEA dhe të shërbimit zjarrfikës, të cilët vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit. Dyshohet se rrjedha e fortë e ujit, e shtuar nga reshjet e fundit, e ka spostuar trupin më tej nga vendi i aksidentit.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-