Aksident i rëndë në Zvërnec – Mes të plagosurve edhe një fëmijë

Aksident i rëndë në Zvërnec – Mes të plagosurve edhe një fëmijë

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar sot paradite në aksin që lidh qytetin e Vlorës me zonën turistike të Zvërnecit. Në përplasje janë përfshirë tre automjete, ndërsa pesë persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë.

Sipas burimeve të para, familja me targa italiane udhëtonte drejt Zvërnecit kur automjeti i tyre u përplas me dy mjete të tjera. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime serioze në pjesën e përparme të makinave.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur ambulancat dhe patrullat e Policisë Rrugore. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku po marrin ndihmën mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se dy prej tyre ndodhen nën kujdes të veçantë mjekësor për shkak të lëndimeve të marra.

Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit. Paraprakisht, dyshohet se shpejtësia dhe pakujdesia në një segment me qarkullim të dendur mund të kenë qenë faktorët kryesorë të përplasjes.

Nga aksidenti ka pasur edhe dëme materiale të konsiderueshme në të tre automjetet ndërsa qarkullimi në këtë segment ka qenë i vështirësuar për disa minuta deri në largimin e mjeteve të dëmtuara.

Ky aks ndodhet pranë një prej zonave më të frekuentuara turistike të Vlorës dhe gjatë muajit gusht ka fluks të shtuar automjetesh çka rrit rrezikun e ngjarjeve të tilla.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-