Aksident i rëndë në Kroaci: Makina përplaset me autobus, 2 të vdekur dhe 31 të plagosur

Aksident i rëndë në Kroaci: Makina përplaset me autobus, 2 të vdekur dhe 31 të plagosur

Zagreb, 4 maj 2025 – Një aksident tragjik trafiku ka ndodhur mëngjesin e së dielës në autostradën Zagreb-Beograd, në segmentin mes Popovaçës dhe Krizhit, ku një automjet dhe një autobus me targa të Bosnjë e Hercegovinës janë përplasur rëndë. Si pasojë, dy persona kanë humbur jetën dhe 31 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Kroacisë, nga të plagosurit, 29 janë transportuar në spitale në Zagreb, Sisak dhe Pakrac për trajtim mjekësor. Autoritetet kroate kanë konfirmuar se të gjitha ekipet emergjente, përfshirë nëntë ambulanca, kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Sipas të dhënave paraprake të raportuara nga Radio Televizioni Kroat (HRT), aksidenti është shkaktuar pasi automjeti i vogël u përplas fillimisht me një dre. Pas përplasjes, makina ndaloi në rrugë dhe shoferi zbriti për të sinjalizuar automjetet e tjera që të ngadalësonin. Megjithatë, autobusi që po afrohej nuk arriti të ndalonte në kohë dhe përplasi makinën.

Si pasojë e përplasjes, makina theu gardhin mbrojtës dhe kaloi në korsinë e kundërt, ndërsa autobusi u përmbys, duke shkaktuar plagosjen e dhjetëra pasagjerëve.

Ministria e Shëndetësisë së Kroacisë shprehu ngushëllime për familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit:
"Shprehim ngushëllime për familjet e viktimave dhe u dëshirojmë shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve," thuhet në njoftimin zyrtar.

Pas përfundimit të hetimeve në vendngjarje, autoritetet njoftuan se autostrada A3 Bregana-Lipovac është rihapur në të dy drejtimet. Ndërkohë, për shkak të aksidentit, u krijua një kolonë e gjatë automjetesh që arrinte deri në 22 kilometra në drejtim të Breganës.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vazhdojn

Lajmi nga: Vjola Murati
Vjola Murati

Vjola Murati

Vjola Murati është spikere dhe gazetare në Blu Televizion, me një formim akademik në Shkenca Sociale dhe Komunikim nga Universiteti i Tiranës. Ajo sjell në ekran profesionalizëm, ndjeshmëri dhe përkushtim ndaj realitetit të komunitetit vendas.

Komente

-