Nga Marieta Mërkuri
Akademia e Sigurisë po forcon gjithnjë e më shumë rolin e saj si një institucion model në formimin profesional dhe akademik të punonjësve të rendit dhe sigurisë publike në Shqipëri.
Pas akreditimit institucional në vitin 2023, Akademia ka vijuar me hapa të qëndrueshëm drejt avancimit të cilësisë. Në vitin 2024, programet mësimore në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit në fushën e Rendit dhe Sigurisë Publike morën vlerësimin e merituar përmes procesit të akreditimit. Po këtë vit, një tjetër sukses ishte akreditimi në sistemet arsimore të IADLEST (Qendra Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve për Zbatimin e Ligjit - ShBA), një arritje që e vendos Akademinë në të njëjtin nivel me institucione të ngjashme ndërkombëtare.
Në këtë vijimësi përmirësimi dhe profesionalizmi, Ministria e Arsimit dhe Sportit, me Urdhrin Nr.248, datë 10.06.2025, miratoi hapjen e një programi të ri të ciklit të dytë të studimeve:
“Master i Shkencave në Siguri Publike dhe Hetim Krimi.”
Ky program i ri akademik, i përputhshëm me Nivelin 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, do të nisë zbatimin në vitin akademik 2025-2026, do të zgjasë dy vite dhe do të ketë një ngarkesë prej 120 kreditesh.
Senati Akademik i Akademisë së Sigurisë është tashmë në fazën përfundimtare të përgatitjes së kritereve të pranimit për 20 kuotat e para, duke u bazuar në të gjitha detyrimet ligjore dhe administrative që rrjedhin nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Ky program synon të përgatisë specialistë me njohuri të thelluara dhe aftësi praktike në fushën e sigurisë publike dhe hetimit të krimit, duke përmbushur një nevojë të qartë për profesionistë të mirëkualifikuar në shërbim të shtetit dhe komunitetit.
Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilir Mandro, vlerëson se ky është një hap tjetër i rëndësishëm drejt modernizimit të ofertës akademike dhe rritjes së kapaciteteve kërkimore dhe profesionale të institucionit:
“Ky program është rezultat i një pune të përkushtuar dhe profesionale, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat vendimmarrëse dhe me mbështetjen e plotë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.”
Në këtë rrugëtim të ri, Akademia e Sigurisë nuk është vetëm një qendër trajnimi, por po kthehet gjithnjë e më shumë në një institucion akademik të mirëfilltë, që garanton cilësi, standarde dhe formim të vazhdueshëm për të gjithë ata që i dedikohen misionit të sigurisë publike.
Komente