Aerosmith ngjall shpresat për një rikthim në skenë - Një tjetër tur në horizont?

Aerosmith ngjall shpresat për një rikthim në skenë - Një tjetër tur në horizont?

Rreth një vit pas njoftimit dramatik për tërheqjen nga skena, legjenda e rokut amerikan Aerosmith ka ngjallur entuziazëm te fansat me deklarata që lënë të hapur mundësinë e një rikthimi në tur.

Në gusht të vitit 2024, grupi njoftoi përfundimin e turneve pas 54 vitesh aktivitet muzikor, për shkak të problemeve serioze shëndetësore të vokalistit ikonik Steven Tyler. 76-vjeçari pësoi dëmtime në kordhat zanore gjatë turneut të lamtumirës “Peace Out” në vitin 2023 – dëmtime që u cilësuan si të parikuperueshme. Por duket se energjia e skenës nuk i ka braktisur ende.

Në një intervistë të fundit për emisionin Trunk Nation në SiriusXM, kitaristi dhe bashkëthemeluesi i grupit, Joe Perry, tregoi se anëtarët e grupit vazhdojnë të qëndrojnë në kontakt dhe se një koncert tjetër i Aerosmith është një mundësi reale.

“E di që duhet të ketë të paktën edhe një koncert tjetër të Aerosmith. Nuk jam shumë entuziast për të përgatitur setlistën për atë natë,” tha Perry me humor.

Duke nënvizuar se “të gjithë jemi gjallë dhe mirë”, ai shtoi se edhe pse nuk ka asgjë konkrete në kalendar, dëshira për të performuar nuk është shuar. Perry zbuloi gjithashtu se së fundmi kishin performuar së bashku në një event bamirësie në San Francisko – një tregues i qartë se magjia e grupit nuk është shuar.

Tyler, pavarësisht problemeve me zërin, u ngjit sërish në skenë në janar të këtij viti për koncertin bamirës “Janie’s Fund” në Hollywood Palladium, duke ndezur shpresat për një rikthim më të gjerë.

I pyetur nëse Tyler do të ishte i gatshëm për një tjetër turne, Perry u përgjigj:

“Mendoj se do të ishte. Është thjesht çështje kohe dhe organizimi.”

Rikthimi i mundshëm vjen pasi pandemia e COVID-19 ndikoi në ritmin e jetës së anëtarëve të grupit, duke i bërë të reflektojnë mbi karrierën dhe dëshirën për të performuar sërish.

Një trashëgimi 50-vjeçare që nuk shuhet lehtë
E formuar në vitin 1970 në Boston, Aerosmith ka bërë histori me hite të paharrueshme, katër çmime Grammy, dhe një vend të merituar në Rock and Roll Hall of Fame. Grupi – i përbërë nga Steven Tyler, Joe Perry, Tom Hamilton, Joey Kramer dhe Brad Whitford – është i njohur gjithashtu për bashkëpunimin epik me Run-DMC për këngën “Walk This Way”, që theu barriera mes rock-ut dhe hip-hop-it.

Në deklaratën e tyre të vitit të kaluar për largimin nga skena, ata shkruanin:

“Falë jush, ‘Blue Army’, ai shkëndijë që nisi në 1970 u kthye në flakë që dogji për më shumë se pesë dekada… Ka qenë nderi i jetës sonë të jemi pjesë e kolonës zanore të jetës suaj.”

Ndërsa pritja për një vendim zyrtar vazhdon, fansat anembanë botës po shpresojnë që ky moslajm të shndërrohet në lajm të madh – një rikthim të denjë për legjendat që e kthyen rok-un në një mënyrë jetese.

Lajmi nga: BLU TV Reports

Komente

-