Aeroporti i Vlorës nën hetim nga SPAK, dyshohet për shkelje në kontratën koncesionare

Aeroporti i Vlorës nën hetim nga SPAK, dyshohet për shkelje në kontratën koncesionare

Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka hapur hetime në lidhje me kontratën koncesionare për Aeroportin e Vlorës. Kjo u bë e ditur nga përgjigjia zyrtare e SPAK-ut ndaj një kërkese për informacion, ku konfirmohet se hetimi ndodhet në fazën e hetimeve paraprake.

Hetimi vjen në kohën kur Aeroporti i Vlorës ka kryer testet e para të fluturimeve, ndërsa projekti ka qenë i shoqëruar me debate dhe kontestime të shumta, veçanërisht nga organizatat mjedisore që akuzojnë ndërhyrje në zonë të mbrojtur natyrore.

Historia e projektit dhe dyshimet për favore politike
Projekti i Aeroportit të Vlorës është një iniciativë e qeverisë Rama, e shpallur për herë të parë në tetor 2017 me dhënien e tenderit për studimin e fizibilitetit në favor të kompanisë Seed Consulting, e lidhur me partnerë të afërt me qeverinë.

Në janar 2018, kryeministri Rama njoftoi se brenda qershorit do të nisë ndërtimi, pa përfunduar ende procedurat zyrtare të tenderimit. Konsorciumi turk i tre kompanive me lidhje të forta politike u përfshi fillimisht në garë, por më pas u tërhoq pa sqarime.

Në fund të vitit 2019, projekti i ri u dha me koncesion 35-vjeçar sipërmarrësve shqiptarë Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, në një garë ku u skualifikua një kompani e tretë me pretendime për favorizime.

Ndërtimi dhe shqetësimet mjedisore
Punimet nisën në nëntor 2021, përkundër mungesës së lejeve mjedisore dhe ndërtimore, të cilat u dhanë vetëm më vonë. Aeroporti ndërtohet në lagunën e Nartës, një zonë e mbrojtur dhe habitat për lloje të rralla shpendësh.

Organizatave mjedisore u kanë shprehur shqetësime për dëmtimin e ekosistemit dhe rrugëve migratore të shpendëve, duke kërkuar ndalimin e punimeve. Por qeveria ka mbrojtur projektin, duke e cilësuar si një investim strategjik për zhvillimin ekonomik dhe turistik.

Projekte të tjera në zonë dhe ndikimi strategjik
Aeroporti i Vlorës është pjesë e një plani më të gjerë zhvillimi që përfshin ndërtime resortesh, porte jahtesh dhe projekte të tjera në zonat përreth, të cilat kanë ngjallur shqetësime për ndikimin në mjedis dhe trashëgimi natyrore.

Në prill 2025, Bashkia e Mynihut u tërhoq nga roli i këshilltarit të projektit pas presionit nga organizatat mjedisore, duke shprehur shqetësim për ndikimin negativ që mund të ketë aeroporti në zonën e mbrojtur.

Në këtë kontekst, hetimi i SPAK-ut për kontratën koncesionare pritet të hedhë dritë mbi dyshimet për shkelje dhe favorizime në këtë projekt madhor strategjik për Shqipërinë.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-