Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për një 36-vjeçar, i cili akuzohet për abuzim seksual me vajzën e tij 12-vjeçare.
I dyshuari u paraqit në ambientet e gjykatës rreth orës 10:00 të mëngjesit, me kokën ulur dhe pa dhënë deklarata për mediat. Gjatë seancës, ai ka pranuar fajësinë, duke pohuar para trupit gjykues se ka abuzuar me të miturën, duke e cilësuar si një veprim “të kryer vetëm një herë”. Megjithatë, ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar se marrëdhëniet seksuale me vajzën kanë qenë të përsëritura.
Trupi gjykues përbëhej nga gjyqtari Nertil Dushku, prokurori Genci Mane dhe një avokat i caktuar kryesisht për mbrojtjen e të pandehurit.
Në një deklaratë për mediat, nëna e të miturës shprehu tronditjen dhe dhimbjen për ngjarjen, duke theksuar se nuk kishte pasur dijeni më parë për abuzimin, të cilin e ka mësuar vetëm pas denoncimit të vajzës në polici. Ajo kërkoi dënimin maksimal për bashkëshortin, duke e cilësuar veprimin e tij si “të turpshëm dhe të pafalshëm”.
Rasti ka tronditur opinionin publik dhe autoritetet kanë nisur hetimet e plota për zbardhjen e ngjarjes dhe dhënien e drejtësisë për viktimën. Pritet që procesi gjyqësor të vijojë në javët në vijim, ndërkohë që 36-vjeçari do të qëndrojë në paraburgim.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente