A e keni fajësuar ndonjëherë djathin për ëndrrat e çuditshme apo makthet që keni parë gjatë natës? Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Frontiers in Psychology, ka një lidhje mes konsumit të bulmetit, sidomos tek personat me intolerancë ndaj laktozës, dhe shfaqjes së maktheve më të forta.
Studiuesit anketuan mbi 1,000 pjesëmarrës për zakonet e tyre të gjumit dhe dietën që ndjekin. Ata që raportuan simptoma të forta gastrointestinale për shkak të intolerancës ndaj laktozës, përjetonin makthe më intensive, më të shpeshta dhe më shqetësuese, të cilat ndikonin edhe në përditshmërinë e tyre.
Sipas Tore Nielsen, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Montrealit dhe bashkëautor i studimit, produktet e bulmetit dhe ëmbëlsirat janë ushqimet më shpesh të lidhura me ëndrrat e këqija. Studimi vjen në vijim të një kërkimi të mëparshëm nga viti 2015 që kishte ngritur pikëpyetje mbi fenomenin e “ëndrrave të varura nga ushqimi”.
Ekspertët japin disa shpjegime të mundshme për këtë lidhje:
Ankthi i shkaktuar nga intoleranca ushqimore, mund të ndikojë në përjetimin e ëndrrave të këqija.
Çrregullimet e gjumit që vijnë nga shqetësimet gastrointestinale, mund të shkaktojnë ndërprerje të gjumit dhe mikro-zgjime, të cilat ndikojnë në cilësinë e ëndrrave.
Këto mikro-arousal-e mund ta bëjnë fazën REM më intensive, duke prodhuar makthe më të forta, sipas profesor Patrick McNamara, neurolog në Universitetin e Bostonit.
Megjithatë, studimi nuk mund të aplikohet drejtpërdrejt në të gjithë popullatën, pasi pjesëmarrësit ishin studentë në një kurs hyrës psikologjie. Autorët paralajmërojnë se faktorë të tjerë, përveç intolerancës ndaj laktozës, mund të ndikojnë në makthet.
Studiuesit shprehen se kanë në plan të ripërsërisin studimin me grupe të tjera për të forcuar gjetjet. Deri atëherë, ndryshimet në dietë mund të bëhen edhe pa ndihmën e një mjeku, sugjeron Nielsen, nëse njerëzit ndiejnë një lidhje mes asaj që hanë dhe asaj që ëndërrojnë.
Nëse keni përjetuar ëndrra të çuditshme pas një darke me djathë, ndoshta nuk është thjesht rastësi.
Komente