A duhet të merrni kreatinë edhe nëse nuk keni objektiva fizike? Ja çfarë thonë ekspertët

A duhet të merrni kreatinë edhe nëse nuk keni objektiva fizike? Ja çfarë thonë ekspertët

Suplementi i njohur për përmirësimin e performancës në stërvitje po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje për efektet e tij në mirëqenien e përgjithshme.

Kreatina është ndër suplementet më të përdorura në botën e fitnesit, e njohur për rritjen e forcës, përshpejtimin e rikuperimit dhe përmirësimin e performancës në ushtrime me intensitet të lartë. Por efektet e saj shtrihen përtej palestrës.

Ky përbërës i fuqishëm, që ruhet natyrshëm në muskuj dhe tru, ndihmon në prodhimin e energjisë qelizore dhe mund të ndikojë pozitivisht në aspekte si funksionet njohëse, shëndeti hormonal dhe plakja e shëndetshme.

Sipas mjekes Gabrielle Lyon, creatina mund të përfitohet nga të gjithë, pavarësisht gjinisë apo qëllimeve fizike. Ndërkohë, sipas dietologes Dana White, shumë gra marrin më pak kreatinë nëpërmjet ushqimit, për shkak të porcioneve më të vogla dhe burimeve të kufizuara si mishi i kuq, peshku dhe bulmeti. Kjo e bën suplementimin edhe më të rëndësishëm për to.

Përfitimet e kreatinës për mirëqenien e përgjithshme
Mund të përmirësojë shëndetin e trurit
Kreatina ndihmon në funksione si kujtesa, përqendrimi dhe përballimi i lodhjes mendore. Ajo është treguar efektive në reduktimin e lodhjes mendore dhe në përmirësimin e funksioneve të trurit te të rriturit e shëndetshëm, sidomos në kushte stresi. Studime të tjera tregojnë se kombinimi i kreatinës me aktivitet fizik mund të ndihmojë në ngadalësimin e rënies së funksioneve njohëse me moshën, por edhe të jetë potencialisht i dobishëm në sëmundje si Alzheimer, Parkinson dhe Huntington.

Mund të ndihmojë në balancimin e hormoneve
Gjatë ciklit menstrual, nivelet e kreatinës në trupin e gruas mund të bien për shkak të luhatjeve hormonale. Suplementimi ndihmon në ruajtjen e niveleve të qëndrueshme. Kjo vlen edhe për gratë shtatzëna, në periudhën pas lindjes ose në menopauzë, edhe pse kërkohen më shumë studime në këtë drejtim. Konsultimi me mjekun mbetet i domosdoshëm.

Mund të rrisë nivelin e energjisë
Kreatina ndihmon në prodhimin e ATP-së, burimi kryesor i energjisë për muskujt. Kjo është veçanërisht e dobishme për ushtrime me intensitet të lartë, por mund të ndihmojë edhe në aktivitetet e përditshme që kërkojnë përpjekje fizike. Edhe pse shumica e studimeve janë fokusuar në sport, përdorimi i saj në jetën e përditshme mbetet premtues.

Mund të ndihmojë në përmirësimin e humorit
Sipas një studimi të vitit 2025, individët që morën kreatinë në kombinim me terapi të sjelljes patën përmirësim më të madh të simptomave të depresionit krahasuar me ata që morën placebo. Kreatina ndikon në metabolizmin e energjisë në tru dhe neurotransmetuesit që rregullojnë humorin, çka mund të ndihmojë në trajtimin e çrregullimeve emocionale. Megjithatë, kërkohen më shumë të dhëna për të konfirmuar këto efekte në shkallë të gjerë.

Si ta përdorni kreatinën në mënyrë të sigurt
Forma më e rekomanduar është kreatina monohidrat, e cila është më e studiuara dhe më efektivja. Zgjidhni produkte të certifikuara me etiketa si “NSF Certified for Sport” ose “Informed Choice” për të shmangur ndotësit e mundshëm.

Doza e zakonshme për gratë është 3 deri në 5 gramë në ditë. Mund të merret para ose pas stërvitjes, ose edhe në ditë pushimi. Përthithja është më e mirë kur merret me karbohidrate.

Kreatina nuk është vetëm për sportistët. Ajo mund të jetë një ndihmë e vlefshme për trurin, trupin dhe humorin, në çdo fazë të jetës.

Lajmi nga: Ariola Hasanaj
Ariola Hasanaj

Ariola Hasanaj

Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.

Komente

-