81 VITE "TRËNDAFILI I ÇAMËRISË"

81 VITE "TRËNDAFILI I ÇAMËRISË"

Si çdo 27 qershor, përfaqësues të komunitetit çam, të ardhur nga të gjitha trevat e vendit dhe diaspora, u mblodhën në Varrezat Monumentale të Kllogjerit për të përkujtuar viktimat e gjenocidit të ushtruar mbi popullsinë çame 81 vite më parë.

Në këtë pelegrinazh përkujtimor, gjithçka nisi me një rit solemn: rikujtimi emër për emër i të rënëve, emra të gdhendur përgjithmonë në murin e varrezave të njohura si "Trëndafili i Çamërisë". Qindra pjesëmarrës ndaluan përballë emrave për të kujtuar familjarët e tyre të zhdukur gjatë dëbimit masiv të vitit 1944.

Në mesin e të pranishmëve ra në sy Hatixhe Rakipi, një grua e veshur me kostumin tradicional të gruas çame, simbol i ruajtjes së identitetit dhe kujtesës.
Drita Kasa, e ardhur nga Vlora, tregoi për emocionin që ndjen çdo vit në këtë vend të shenjtë për historinë çame.
Ndërsa Hamdi Avduli, një çam i ardhur enkas nga Australia, pavarësisht vështirësive në të folur, tha se ishte detyrë shpirtërore të merrte pjesë në këtë homazh.

Në një moment simbolik, pranë memorialit u vendos konstelacioni “I love Çamëria”, një nënshkrim i gjallë dhe betim për drejtësi, përpara të rënëve dhe të mbijetuarve të këtij krimi historik.

Falë kujdesit të Bashkisë së Konispolit dhe kryetarit të saj Erges Dule, ky aktivitet u organizua me pjesëmarrjen e tre brezave çamë, duke e kthyer këtë përvjetor në një manifestim të ndërgjegjes kolektive.

Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, Rexhep Ismaili, falënderoi pjesëmarrësit dhe e quajti këtë mobilizim të brezave si një akt të jashtëzakonshëm respekti dhe memorieje.

Nxënësit e shkollave të Konispolit sollën emocione me një program artistik ku spikati kënga e vajzës me furçë dhe shami në kokë, si dhe recitime që preknin zemrën e çdo të pranishmi.

Kreu i Fondacionit “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, theksoi rëndësinë e dokumentimit të gjenocidit dhe sensibilizimit publik, jo vetëm nga shoqatat dhe fondacionet, por edhe nga strukturat shtetërore dhe akademike.

Ish-deputeti Dashamir Tahiri tha se çështja çame kërkon zgjidhje diplomatike, ndërsa vuri në dukje se organizimi dhe përkushtimi i komunitetit çam nuk do të lejojë që kjo çështje të mbetet në harresë.

Për herë të parë si deputet i zgjedhur, Ardit Bido mori pjesë në këtë pelegrinazh, duke dhënë një sinjal të ri për përfshirjen institucionale në trajtimin e kësaj çështjeje.

Autoritetet dhe qytetarët vendosën kurora me lule, trëndafila dhe karafila, në nderim të viktimave të pafajshme të vitit 1944.

Gazetarja e njohur Lulela Myftari, një zë i hershëm i çështjes çame, theksoi se nuk mungon asnjëherë në këtë pelegrinazh, si një akt personal, familjar dhe profesional, për të përmbushur një amanet brezash.

Përmbyllja e programit përkujtimor do të zhvillohet sot, në orën 20:00, me një manifestim paqësor pranë pikëkalimit kufitar të Qafë-Botës, ku do të ngrihen pankarta dhe do të lëshohen në qiell 82 balona me flakë qiriri, në simbolikën e 81 viteve që kanë kaluar nga gjenocidi grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe si shenjë e kërkesës së vazhdueshme për drejtësi dhe njohje historike.

Lajmi nga: Elton Nika
Elton Nika

Elton Nika

Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.

Komente

-