Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka raportuar se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar gjithsej 8 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe angazhimit në terren të 78 forcave operacionale, 11 automjeteve zjarrfikëse dhe mjeteve ndihmëse, të gjitha vatrat janë izoluar me sukses.
Zjarret janë përhapur në zona të ndryshme të qarqeve Fier, Lezhë, Vlorë, Shkodër, Tiranë dhe Berat, por përpjekjet e koordinuara të strukturave të mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor kanë mundësuar shuarjen e tyre pa pasoja serioze.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për sot është parashikuar një nivel rreziku “i lartë” për zjarre në qarkun e Fierit, ndërsa në qarqet e tjera rreziku vlerësohet si “i moderuar”.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u bëjnë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë me temperatura të larta dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër zjarri të konstatuar, për të shmangur përhapjen e flakëve dhe rrezikimin e jetës e pronës.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente