27 Qershori është shpallur zyrtarisht në kalendarin kombëtar si Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, në përkujtim të masakrave të kryera nga ushtria greke EDES në vitin 1944. Vendimi është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 30 qershor 1994, me ligjin nr. 7839 dhe dekretin nr. 885, ndërsa më pas u thellua në rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame, miratuar në vitin 2004 dhe me fuqi të plotë që prej vitit 2012.
Më 27 qershor 1944, në rajonin e Paramithisë, forcat greke të udhëhequra nga gjenerali Napoleon Zerva kryen njërën prej masakrave më të rënda ndaj shqiptarëve të Çamërisë, ku u vranë mbi 600 civilë, përfshirë pleq, gra dhe fëmijë.
Në total, masakrat e dokumentuara përfshijnë:
1286 të vrarë në Filat,
192 në Gumenicë,
620 në Pargë,
duke çuar numrin e të vrarëve në mbi 2770 vetë vetëm nga qershori 1944 deri në mars 1945.
Gjatë shpërnguljes së dhunshme drejt territorit shqiptar, rreth 2400 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën për shkak të urisë, sëmundjeve dhe kushteve çnjerëzore.
Çdo vit, më 27 qershor, në Qafë-Botë, Kllogjer, pranë Monumentit dhe varrezave përkujtimore, zhvillohen homazhe në nderim të viktimave, duke kujtuar një nga plagët më të dhimbshme të historisë kombëtare.
Dita e sotme shërben si një thirrje për kujtesë historike, drejtësi dhe zgjidhje të çështjes çame, në respekt të së shkuarës dhe të drejtës për një të ardhme me dinjitet.
Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.
Komente