Prokuroria e Sarandës ka dhënë një njoftim lidhur me rastin e shtetasit Isa Rexhepaj, i cili u gjet i pajetë në portin e Sarandës, ku punonte si roje. Ngjarja ndodhi një ditë më parë dhe ka ngjallur shqetësim te komuniteti.
Përmes një deklarate zyrtare, prokuroria ka informuar se janë marrë masa të menjëhershme nga policia gjyqësore, e cila ka kryer veprime hetimore të detajuara. Këto përfshijnë kqyrjen e vendit të ngjarjes, sekuestrimin e sendeve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e çështjes, si dhe marrjen e deklaratave nga shtetasit që mund të kenë dijeni për rrethanat që çuan në këtë tragjedi.
Po ashtu, ekspertimi mjeko-ligjor është urdhëruar me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes. Kufoma e Isa Rexhepajt është dorëzuar në morgun e spitalit të Sarandës dhe do të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për kryerjen e veprimeve të nevojshme.
Ky është një rast që mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Komente