Bashkia e Vlorës ka marrë së fundmi një dhuratë të veçantë artistike nga ambasadori i Shqipërisë në Vjenë dhe ish-deputeti i Vlorës, Fate Velaj. Bëhet fjalë për 30 fotografi me pamje të ndryshme nga kryeqyteti austriak, të cilat pasqyrojnë peizazhe, arkitekturë dhe atmosferën urbane të Vjenës.
Ambasadori Velaj thekson se ky koleksion nuk do të mbetet i vetëm, pasi në vijim do t’i shtohen edhe 30 fotografi të tjera. Sipas tij, fotot janë përzgjedhur në kuadër të disa aktiviteteve kulturore të zhvilluara nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë dhe synojnë forcimin e lidhjeve mes dy vendeve përmes artit dhe kulturës.
Në një prononcim për mediat, ambasadori Velaj u shpreh se ky gjest është edhe pjesë e nismës për krijimin e një ure bashkëpunimi mes Bashkisë së Vlorës dhe asaj të Linzit në Austri. Ai shtoi se fotografi të Vlorës janë shpërndarë gjatë çdo takimi të rëndësishëm diplomatik që ka zhvilluar ambasada, me qëllim promovimin e qytetit dhe turizmit kulturor shqiptar.
“Dëshirojmë që këto aktivitete të shtrihen edhe më tej, dhe pse jo, në të ardhmen Vlora të pasqyrohet në ekspozita edhe në Austri”, theksoi ambasadori Velaj.
Kjo nismë vjen si dëshmi e përkushtimit për thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe diplomatik mes Shqipërisë dhe Austrisë, duke sjellë më pranë dy qytete me identitet të veçantë – Vjenën dhe Vlorën
Elton Nika është gazetar i njohur nga Vlora, me një karrierë të gjatë në raportimin e lajmeve lokale dhe kombëtare. Aktualisht, ai kontribuon në Blu TV me kronika nga terreni dhe emisione informuese.
Komente