Në përvjetorin e 27-të të Masakrës së Reçakut, drejtuesit më të lartë të Kosovës kanë kujtuar viktimat dhe kanë përsëritur thirrjen për drejtësi, duke e cilësuar këtë ngjarje si simbol të krimeve të kryera ndaj popullit shqiptar gjatë luftës.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë homazheve në Kompleksin Memorial, deklaroi se Reçaku ishte pika që zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare për krimet e luftës dhe gjenocidin e ushtruar nga shteti serb. Ai theksoi se pas kësaj masakre, opinioni publik ndërkombëtar dhe diplomacia perëndimore u mobilizuan përballë asaj që po ndodhte në Kosovë.
Kurti u shpreh se dhimbja për Reçakun mbetet e gjallë dhe se institucionet e Kosovës do të jenë gjithmonë të angazhuara për t’i çuar para drejtësisë autorët e krimeve. Ai nderoi 45 martirët e Reçakut dhe 11 dëshmorët e kombit, duke theksuar se kujtesa për ta është e pandashme nga rruga e shtetit të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi masakrën si krim kundër njerëzimit dhe ndaj civilëve të pafajshëm, duke thënë se ajo tregoi qartë synimin e regjimit të atëhershëm serb për zhdukjen e shqiptarëve nga Kosova. Sipas saj, plagët e Reçakut vazhdojnë të flasin edhe sot, për shkak të mungesës së drejtësisë.
Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë ta mbrojë të vërtetën për Reçakun në çdo forum ndërkombëtar, duke nënvizuar se liria dhe pavarësia e sotme janë rezultat i sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të UÇK-së. Ajo shtoi se themelet e shtetit janë të forta pikërisht sepse janë ndërtuar mbi këtë sakrificë.
Komente