Prishtinë, 12 qershor – Me rastin e 26-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar me nderim dhe krenari kontributin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të trupave të NATO-s, të cilët, sipas saj, “e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë”.
Në mesazhin e saj të publikuar në rrjetet sociale, Osmani thekson se “në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”.
Presidentja shton se, pavarësisht përpjekjeve për të ndryshuar të vërtetën historike, “historia e shkruar me gjak nuk mund të fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps”.
“Kosova e lirë, përjetë krenare. Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre”, shkruan Osmani.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, presidentja përkujton sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të luftës, duke nënvizuar se Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike është trashëgimia e përjetshme që ata lanë pas.
Për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm, institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës kanë organizuar një sërë aktivitetesh përkujtimore dhe festive në mbarë vendin.
Komente