Çdo vit, më 21 qershor, tri bashkitë që ndajnë brigjet e Liqenit të Ohrit – Pogradeci, Ohri dhe Struga – shënojnë Ditën e Liqenit, si një festë që simbolizon fillimin e sezonit të plotë turistik, por edhe angazhimin për mbrojtjen e kësaj pasurie unike natyrore dhe kulturore.
Kjo ditë u përkujtua për herë të parë në vitin 2002, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes së ekosistemit të liqenit dhe për të forcuar lidhjet mes komuniteteve përreth tij. Në fokus qëndron bashkëpunimi ndërkufitar për mbrojtjen e basenit liqenor, si një trashëgimi e pazëvendësueshme që i përket të gjithë rajonit.
Organizimi i aktiviteteve rrotullohet çdo vit nga njëra bashki te tjetra, por mesazhi mbetet i pandryshuar: thirrje për kujdes më të madh nga qytetarët dhe institucionet për ruajtjen e Liqenit të Ohrit – një prej liqeneve më të vjetër dhe më të pasur në biodiversitet në Evropë.
Dita e Liqenit është jo vetëm një mundësi për të festuar bukuritë e natyrës, por edhe për të reflektuar mbi përgjegjësinë e përbashkët që kemi ndaj këtij thesari të përbashkët natyror.
Gentjan Kellçiu është gazetar dhe moderator nga Vlora, i njohur për raportimet e tij në terren dhe drejtimin e emisioneve informative. Aktualisht ai drejton emisionin e mëngjesit “Agon Blu” në Blu TV.
Komente