Gjatë orëve të fundit, në territorin e vendit janë evidentuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 3 mbeten ende aktive. Operacionet për shuarjen e zjarreve janë duke vijuar me intensitet të lartë, ku janë angazhuar shumë forca dhe mjete zjarrfikëse.
Vatrat Aktive:
Malin mbi fshatin Dhivër, bashkia Finiq: Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore në lartësi, dhe në terren po operojnë 10 mjete të shërbimit zjarrfikës të Finiqit, Sarandës, Delvinës, Konispolit, Gjirokastrës, Himarës, si dhe rreth 120 forca operacionale. Po ashtu, ka mbështetje ajrore dhe nga Forcat e Armatosura për shuarjen e këtij zjarri.
Fshati Lofkënd, bashkia Mallakastër: Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha. Në terren janë dislokuar 11 automjete zjarrfikëse, përfshirë 2 të Forcave të Armatosura dhe 130 forca nga strukturat operacionale. Puna për izolimin e plotë të tij po vazhdon, me mbështetje ajrore.
Fshati Vjollcë, bashkia Mirditë: Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe pyjore me pisha dhe shkurre. Megjithatë, rreziku për banesa është eliminuar. Punimet janë intensifikuar deri në orët e vona nga shërbimi vendor i MZSH, shërbimi pyjor dhe vullnetarët e zonës, por ende nuk ka mundur të izolohet vatra.
Për operacionet e shuarjes janë angazhuar:
- 48 automjete zjarrfikëse
- 445 forca operacionale
- 9 automjete të rënda
- 73 forca ushtarake të Forcave të Armatosura
- 8 automjete zjarrfikëse me ekuipazh
Mbështetje ajrore dhe dy avionë suedezë të aktivizuar në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Apel nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë për koordinimin e mëtejshëm të forcave dhe mbështetjen e strukturave operacionale, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe pasurisë së përbashkët. U bëhet thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë çdo vatër të mundshme.
Armandi Xhelilaj është gazetar me përvojë të gjatë në median vizive dhe të shkruar, me fokus në raportimin nga terreni dhe trajtimin e problematikave sociale e komunitare. Me një formim akademik në Gazetari-Komunikim dhe eksperiencë në televizione ai ka dëshmuar profesionalizëm dhe angazhim të vazhdueshëm në fushën e informimit.
Komente