Çdo vit, më 18 korrik, Kombet e Bashkuara (OKB) ftojnë të kremtohet Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës, një ditë për të reflektuar dhe për të bërë ndryshime pozitive në komunitetet tona, duke nderuar trashëgiminë e këtij lideri të paharrueshëm.
OKB kujton se çdo individ ka aftësinë dhe përgjegjësinë për të kontribuar në ndryshimin e botës për mirë. Në faqen e saj të internetit, OKB citon një nga fjalët më të njohura të Mandela-s: “Është e lehtë të thyhesh dhe të shkatërrohesh. Heronj janë ata që bëjnë paqe dhe ndërtojnë.” Këto fjalë janë një udhërrëfyes për çdo individ që synon të krijojë një të ardhme më të drejtë dhe të barabartë.
Nelson Mandela lindi më 18 korrik 1918, në Mvezo, Afrikën e Jugut, dhe u nda nga jeta më 5 dhjetor 2013, në Johannesburg. Ai ishte një nacionalist i shquar dhe presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut (1994–1999), i njohur për angazhimin e tij të palëkundur për të luftuar sistemin e apartheid-it dhe për të arritur barazi dhe drejtësi për të gjithë qytetarët.
Rruga e Mandela-s dhe Çmimi i Paqes
Mandela vuajti më shumë se 27 vjet burg për veprimet e tij kundër apartheid-it, duke u arrestuar në vitin 1962 dhe u lirua vetëm në vitin 1990. Fillimisht, ai u dënua me pesë vjet burg për nxitje grevash, dhe më vonë me burgim të përjetshëm për sabotim dhe akuza të tjera politike. Pjesën më të madhe të kohës, Mandela e kaloi në burgun e njohur të Robben Island, dhe më vonë në burgjet Pollsmoor dhe Victor Verster.
Në vitet 1990, negociatat e tij me presidentin F.W. de Klerk ndihmuan që Afrikës së Jugut t’i jepte fund sistemit të apartheid-it dhe të çonte në një tranzicion paqësor drejt sundimit të shumicës. Ky moment historik përfundoi me zgjedhjen e Mandela-s si presidenti i parë i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë nga të gjithë qytetarët, pavarësisht ngjyrës së lëkurës.
Në vitin 1993, Nelson Mandela dhe F.W. de Klerk u nderuan me Çmimin Nobel për Paqen, përpjekjet e të cilëve ndihmuan në krijimin e një Afrike të Jugut të re dhe të bashkuar.
Mandela - Simbol i Drejtësisë dhe Barazisë
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, e ka cilësuar Nelson Mandela-n si një simbol të drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit. Pas largimit të tij nga posti i presidentit, Mandela vazhdoi të ishte një figurë frymëzuese për të gjithë botën, duke u angazhuar për të drejtat e njeriut, paqen dhe barazinë, jo vetëm në Afrikën e Jugut, por dhe në mbarë globin.
Për të nderuar këtë figurë të madh historike, Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës është një mundësi për të angazhuar individët dhe komunitetet të ndërmarrin veprime që do të kontribuojnë në krijimin e një bote më të drejtë dhe më të paqtë për të gjithë.
Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.
Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.
Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV
Komente