Zuckerberg është përpjekur të blejë një tjetër startup në fushën e inteligjencës artificiale, Thinking Machines Lab, i themeluar së fundmi nga Murati, ish-drejtoreshë teknologjike e OpenAI.
Asnjë nga anëtarët e ekipit të saj nuk pranoi ofertën e Meta-s për t’u bashkuar me Superintelligence Lab-in e sapokrijuar nga kompania. Paketat e kompensimit varionin nga 200 milionë deri në 1 miliard dollarë për secilin prej studiuesve më të mirë të inteligjencës artificiale nga startup-i i Muratit.
“Deri më tani, në Thinking Machines Lab, asnjë person i vetëm nuk e ka pranuar ofertën,” konfirmoi Murati.
Nga ana tjetër, drejtori i komunikimit të Meta-s, Andy Stone, kundërshtoi këtë deklaratë, duke thënë se ata bënë oferta vetëm për një numër të vogël njerëzish. “Ne bëmë oferta vetëm për një numër të vogël njerëzish në TML dhe, ndonëse pati një ofertë të konsiderueshme, detajet janë të pasakta. Në fund të fundit, e gjithë kjo ngre pyetjen se kush po e dredh këtë rrëfim dhe pse,” u shpreh ai.
Si ish-drejtoreshë teknologjike e OpenAI dhe tashmë themeluese e startup-it Thinking Machines Lab, Murati është bërë një nga figurat më me ndikim në garën globale të inteligjencës artificiale.
Refuzimi unanim i ofertës masive të Metës nga ekipi i saj flet shumë për besimin që ata kanë tek lidershipi i saj dhe vizioni afatgjatë i startup-it.
Pse ekipi i Muratit i tha “jo” Metës?
Sipas raportimeve, Meta i Zuckerberg-ut u ofroi disa anëtarëve të ekipit të Muratit paketa kompensimi që varionin nga 200 milionë deri në 1 miliard dollarë për t’u bashkuar me laboratorin Superintelligence.
Por çdo ofertë u refuzua. Burimet thonë se ekipi i Thinking Machines Lab beson se kapitali i tyre në startup ka potencialin të vlejë shumë më tepër dhe, më e rëndësishmja, ata e vlerësojnë pavarësinë e tyre dhe vizionin e Muratit më shumë sesa pagesat e kompanive të mëdha të teknologjisë.
Në një industri teknologjike ku pagat marramendëse shpesh përcaktojnë vendimmarrjen, besnikëria e shfaqur nga ekipi i Muratit bie në sy. Refuzimi i ofertave fitimprurëse të Metës nxjerr në pah besimin e tyre tek misioni dhe potenciali afatgjatë i startup-it.
Vendimi i tyre pasqyron gjithashtu një ndryshim më të gjerë në kulturën e teknologjisë – një kulturë ku themeluesit dhe inxhinierët po i japin përparësi qëllimit, vlerave dhe besimit, më shumë sesa pagesave që bëjnë bujë.
Shumë vëzhgues theksojnë gjithashtu se mundësia për të ndihmuar në formësimin e së ardhmes së inteligjencës artificiale që nga themelet, pa kufizimet e një gjigandi korporativ, është një mundësi e rrallë dhe kuptimplote – një mundësi që Murati dhe ekipi i saj kanë vendosur të mos e sakrifikojnë.
Adriatik Golemaj, Drejtor Ekzekutiv i televizionit, ka 28 vite përvojë në media lokale dhe ndërkombëtare. Ka punuar si gazetar, redaktor dhe prezantues, si dhe si ndërmjetës për organizata mediatike të huaja. Ka drejtuar projekte komunikimi me publikun dhe median për kompani ndërkombëtare. Në rolin e tij aktual, ai garanton funksionimin e televizionit dhe përfaqëson institucionin në bashkëpunime strategjike.
Komente