Edhe pse muaji shtator po i afrohet fundit, Vlora vazhdon të ruajë profilin e saj si një nga destinacionet më tërheqëse turistike në jug të Shqipërisë. Në këtë periudhë, vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të turistëve që udhëtojnë me kamper – një formë gjithnjë e më e preferuar e turizmit alternativ.
Vizitorë nga Zvicra, Gjermania, Britania e Madhe dhe vende të tjera të Europës kanë zgjedhur Vlorën për të kaluar pushimet e tyre të vonshme verore. Disa janë për herë të parë në Shqipëri, të tjerë janë kthyer pas përvojave pozitive nga vitet e mëparshme.
Të vendosur në kampe përgjatë vijës bregdetare apo në zona më të qeta dhe rurale, turistët me kamper shprehen entuziastë për mikpritjen, natyrën e virgjër dhe atmosferën relaksuese që ofron Vlora në shtator. Sipas tyre, kjo periudhë është ideale për eksplorim, larg zhurmës së sezonit të pikut dhe më pranë jetës autentike shqiptare.
Turizmi me kamper po fiton terren si një mënyrë fleksibël dhe ekonomike udhëtimi, duke i lejuar vizitorët të zbulojnë jo vetëm qendrat turistike, por edhe zona më pak të njohura të vendit. Kjo prani në rritje e vizitorëve në fund të sezonit është një sinjal pozitiv për mundësinë reale të zgjatjes së sezonit turistik në Shqipëri, veçanërisht në jug, ku potenciali natyror dhe kulturor mbetet ende i pashfrytëzuar plotësisht.
Komente