Vlora mbetet pa ujë përkohësisht – Nis ndërhyrja për riparimin e linjës kryesore 24-orëshe

Që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, qyteti i Vlorës është përballur me ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm, për shkak të një defekti në tubacionin kryesor të linjës 24-orëshe, që mbulon të gjithë qytetin.

Defekti, i cili ishte konstatuar që në muajin korrik, u shty për ndërhyrje pas përfundimit të sezonit turistik, për të shmangur ndikimin te vizitorët dhe bizneset.

Ujësjellës-Kanalizime Vlorë ka nisur sot punimet për riparimin e çarjes në zonën e Ujit të Ftohtë, duke stakuar përkohësisht pompat furnizuese.

Sipas njoftimit zyrtar, procesi i remontit pritet të zgjasë mbi gjashtë orë, ndërsa rikthimi i furnizimit me ujë do të realizohet në mëngjesin e së mërkurës.

Aktualisht, punonjësit e Ujësjellësit po punojnë për zëvendësimin e segmentit të dëmtuar, i cili cilësohet si një nga më të rëndësishmit në rrjetin shpërndarës të qytetit.

Autoritetet bëjnë me dije se pas përfundimit të riparimit, pritet të rikthehet një furnizim i qëndrueshëm dhe i pandërprerë me ujë për të gjithë zonat e mbuluara nga kjo linjë.

Lajmi nga: Ariola Hasanaj
Ariola Hasanaj

Ariola Hasanaj

Ariola është një gazetare e re dhe energjike në ekipin e Blu TV, e njohur për qasjen e saj dinamike ndaj lajmit dhe pasionin për gazetarinë terreni. Ajo sjell një zë të freskët dhe angazhim të vazhdueshëm në pasqyrimin e problematikave sociale dhe zhvillimeve aktuale, duke qenë afër komunitetit dhe duke raportuar me saktësi e profesionalizëm.

Komente

-