“Isha e detyruar të ulesha në cep të klasës sepse më akuzonin se nuk përqendrohesha,” kujton Jess Woodward-Jones, bashkëthemeluese e platformës Vizzy, që krijon CV alternative për punëkërkuesit dhe përdoret nga kompani si Burberry dhe Pizza Express.
Jess rrëfen vështirësitë që ka kaluar gjatë shkollës për shkak të disleksisë – një sfidë që sot e konsideron si forcë dhe avantazh në rrugëtimin e saj sipërmarrës.
Ajo nuk ishte diagnostikuar me disleksi gjatë shkollës dhe për vite e kishte mbajtur të fshehtë gjendjen e saj. Në punët e mëparshme, si në teatër, ajo lexonte skriptet në shtëpi pasi nuk arrinte t’i përpunonte në ambientin e zyrës. “E fsheha, nga frika e paragjykimit. Ishte më shumë një reflektim i përvojave të mia personale dhe ndjesive negative që më shoqëronin për shkak të disleksisë,” shprehet ajo.
Por sot, në drejtimin e kompanisë së saj, Jess ka përqafuar veçantitë që disleksia i ofron. Ajo thotë se kjo i mundëson të shohë “pamjen e madhe” në biznes, të marrë vendime shpejt dhe të shpjegojë idetë në mënyrë të thjeshtë e të qartë për të gjithë.
“E përpunoj mundësinë në kokë dhe marr vendime shumë shpejt, pa pasur nevojë të fle mbi to. Dikush tjetër mund ta bëjë gjithçka më të komplikuar, por unë e kthej në një mesazh që të gjithë e kuptojnë.”
Përmes përvojës së saj, Jess ka zgjedhur të flasë hapur për disleksinë në rrjetet sociale dhe në ambientin e punës. Ajo dëshiron të jetë shembull për të tjerët që ndihen të ndryshëm dhe të ndërtojë një kulturë gjithëpërfshirëse në kompaninë e saj.
“Ndjej përgjegjësi që të jem e hapur dhe e sinqertë. Kam krenari për aftësitë që më jep disleksia. Kohët kanë ndryshuar dhe sot ka kërkime të mrekullueshme mbi talentin disleksik. Jam edhe më e rritur tani, dhe përvojat më kanë bërë më e sigurt në atë që mund të bëj dhe në atë ku kam nevojë për ndihmë.”
Në këtë rrugëtim, ajo mbështetet nga bashkëthemeluesit e saj – vëllai Joe dhe bashkëshorti Chris – të cilët ndihmojnë në organizimin dhe ndarjen e detyrave ku disleksia mund të krijojë vështirësi. “Më thonë shpesh: ‘Nëse të ndodh diçka nesër, duhet të dimë saktësisht se ku ke mbërritur me punët.’”
Jess nuk është e vetmja që e ka kthyer disleksinë në forcë. Edhe James Griffith, bashkëthemelues dhe CEO i kompanisë teknologjike Mous me xhiro prej 28 milionë paund, rrëfen se nuk mund të lexonte gjatë gjithë shkollës, madje edhe në provimet A-level kishte nevojë për dikë që t’i lexonte pyetjet.
Ai më vonë studioi matematikë dhe punoi për Procter & Gamble. Disleksia, sipas tij, e kishte përgatitur për vështirësitë e jetës sipërmarrëse. “Kur e kalon gjithë shkollën duke qenë më i dobëti në diçka, e nëse ke fatin të kesh njerëz që të motivojnë, ndërton një qëndrueshmëri që është thelbësore në biznes.”
Ai thekson se disleksia e ndihmon të shohë detyrat ndryshe dhe e shtyn të ndërtojë ekipe që mbështeten në pikat e forta të njëri-tjetrit. “Shpesh je i dobët në disa gjëra, por shumë i mirë në të tjera. Kjo është mënyra se si kam ndërtuar ekipin tim.”
Disleksia dikur përjetohej si një barrë e rëndë në shkollë, por sot ajo konsiderohet si një “superfuqi” nga figura të njohura si Sir Richard Branson. Nëse më parë ishte e fshehur, sot është e mirëpritur – një mënyrë tjetër për të parë botën, për të zgjidhur probleme dhe për të krijuar të ardhme.
Jess Woodward-Jones dhe të tjerë si ajo tregojnë se të qenët ndryshe nuk është pengesë, por pikërisht arsyeja pse kanë sukses.
Dea Hasanaj është Drejtore e Burimeve Njerëzore, Administratës dhe Programacionit në Blu TV. Me formim juridik, ajo koordinon funksionimin organizativ të televizionit, menaxhon stafin dhe siguron zbatimin e standardeve editoriale.
Përveç detyrës drejtuese, Dea është edhe autore dhe shkrimtare opinioni, e njohur për analizat e saj mbi çështje sociale, kulturore dhe mediatike.
Ajo përfaqëson institucionin pranë palëve të treta, dhe kujdeset për ecurinë e bashkëpunimit të brendshëm.
Roli i saj është thelbësor për funksionimin efikas dhe identitetin editorial të Blu TV
Komente