Dita e sotme shënon afatin e fundit të aplikimeve për postin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pas përfundimit të mandatit trevjeçar të kreut aktual Altin Dumani, i cili përfundon më 18 dhjetor.
Një ditë më parë, prokurori Elvin Gogaj dorëzoi zyrtarisht kandidaturën e tij pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Sot pritet të aplikojnë gjithashtu edhe tre emra të tjerë nga SPAK: Adnand Xholi, Doloreza Musanelliu dhe Klodian Braho.
Sipas rregullores së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, kandidati duhet të plotësojë disa kritere thelbësore si: eksperienca në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, aftësitë drejtuese, integriteti profesional dhe imazhi publik, si dhe vizioni dhe plani strategjik për drejtimin e SPAK-ut.
Pas mbylljes së afatit, Komisioni për Zhvillimin e Karrierës ka deri në 10 ditë kohë për të verifikuar plotësimin e kushteve nga secili kandidat dhe për të paraqitur listën përkatëse për miratim në mbledhje plenare të Këshillit.
Drejtuesi i ri i SPAK do të zgjidhet me votim të hapur e nominal nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kandidati që merr më shumë vota emërohet në krye të institucionit për një mandat 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi. Në rast barazie votash, parashikohet zhvillimi i një rivotimi mes kandidatëve me rezultat të barabartë.
Zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK ka rëndësi të veçantë në vazhdimësinë e punës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe pritet me interes si nga opinioni publik, ashtu edhe nga partnerët nderkombëtarë.
Komente