Një tjetër alarm për sigurinë ushqimore nga Shqipëria – këtë herë në qendër të vëmendjes janë pjeshkët, të cilat janë bllokuar nga autoritetet e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, pasi rezultuan me pesticide të ndaluara dhe nivel të lartë hekuri.
Rasti i parë: Alarm në Kroaci, zbulohet ngarkesa me hekur të lartë
Autoritetet e Kroacisë – si pjesë e sistemit të kontrollit të BE-së për Sigurinë Ushqimore (RASFF) – kanë bllokuar një ngarkesë me pjeshkë shqiptare më 21 gusht, pasi analizat zbuluan përmbajtje të lartë hekuri, jashtë normave të lejuara.
“Origjina e pjeshkëve është Shqipëria,” thekson sinjalizimi i publikuar nga RASFF.
Rasti i dytë: Bosnje-Hercegovina ndalon pjeshkët me pesticid të ndaluar
Ndërkohë, një ngarkesë tjetër me pjeshkë nga Shqipëria është bllokuar në Bosnje-Hercegovinë, pasi përmbante substancën “klorpirifos”, një pesticid i ndaluar në shumë vende për rreziqet që paraqet për shëndetin, sidomos për fëmijët.
“Mbi normë të lejuar, rrezik për konsum!” – citojnë mediat boshnjake për këtë rast.
Një kompani shqiptare e përmendur nga mediat në Bosnje mohon që ngarkesa t’i përkasë asaj. Ajo ka publikuar rezultatet laboratorike të analizave të frutave të veta, të cilat rezultojnë brenda normave.
Dy raste të ndara apo një skemë e vetme?
Ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për të njëjtën kompani eksportuese, apo janë dy raste të ndryshme. Hetimet vazhdojnë, ndërsa burime nga autoritetet në Bosnje dhe Kroaci vijojnë të verifikojnë rastet.
Heshtje nga autoritetet shqiptare
Edhe pse sinjalizimet janë bërë publike nga autoritetet europiane, autoritetet shqiptare nuk kanë reaguar ende, duke ngritur pikëpyetje mbi kontrollin e brendshëm të produkteve bujqësore para eksportit.
Rasti përsëritet: edhe mandarinat ishin me pesticide
Ky nuk është rasti i parë. Vetëm disa javë më parë, Kroacia bllokoi mandarina nga Shqipëria, gjithashtu për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve.
Komente